Familja midis të shkuarës dhe të ardhmes

Shkruan: Drita Memeti

Çdo ditë e më shumë shohim modele të reja të familjes jokonvencionale: model i familjes me prindër të gjinisë së njëjtë, me një prind (fertilizimin in vitro (IVF), me tre prindër madje edhe me katër prindër. Pra, variacione të ndryshme të cilat duken larg traditës sonë dhe prekin bërthamën e shoqërisë – familjen.

Krijimi i modeleve të reja të familjes tregon se kohezioni social në shoqëri është dobësuar dhe anëtarët e saj nuk janë më të mbrojtur nga faktorët e jashtëm që ndikojnë drejtpërdrejtë në të.

Kur flasim për gjërat më të rëndësishme të individit, familja vjen e para.

Lidhjet tjera që krijon njeriu gjatë jetës shkojnë e vijnë, familja mbetet. Ajo që duhet të ishte imperativ i kohës  është të ndërtuarit e  një sistemi të qëndrueshëm familjar, jo si qëllim në vetvete por si një mënyrë për drejtimin moral të shoqërisë.

Familja e sotshme dallon shumë nga ajo në të kaluarën, kurse kur mendojmë për familjen e së ardhmes para nesh shfaqen vizione të çuditshme  që nuk përkasin me realitetin momental të shoqërisë sonë. Në këto versione familja paraqitet si një institucion opsional ku gjithsecili ka të drejtë të zgjedhë se si do ta ndërtojë dhe quajë familjen e së ardhmes.

Sociologët e shohin familjen si një institucion social qendror në shoqëri, funksioni i së cilës varet edhe nga funksioni i institucioneve të tjera që e rrethojnë, kryesisht nga funksionimi i shtetit si institucioni kryesor që nëpërmjet ligjeve bën edhe kontrollin e shoqërisë. Nëse shteti jep dritë jeshile drejtë krijimit të familjeve “eksperimentale” atëherë familja si strukturë e veçantë e ka të vështirë ti rezistoje ndryshimit dhe domosdomërisht do të ekspozohet ndaj tij.

Pavarësisht pretendimeve subjektive, familja duhet të vazhdojë të projektojë realitetin objektiv që e ka në bazamentin saj edhe të realizojë funksionet e saja, ku disa prej tyre janë:

Mbështetja ekonomike– ushqim, veshmbathje, strehimi.

Mbështetja emocionale – përkrahje emocionale, krijimi i ndjenjës së përkatësisë.

Socializimi – rritja e fëmijëve, prindërimi.

Edukimi seksual dhe kontrolli i riprodhimit – kontrollimi i krijimit të lidhjeve, përcaktimi i periudhës kohore.

Statusi social – pozicionimi në shoqëri

Këto dhe funksione të tjera brenda familjes më së miri plotësohen kur detyrat dhe përgjegjësit janë të ndara midis anëtarëve të familjes. Është e rëndësishme që secili në familje ta dijë vendin dhe përgjegjësinë që ka brenda atij institucioni, sepse kur familja është e konsoliduar mirë ajo i mban pjesëtarët e saj “nën kontroll” duke mos lejuar kështu depërtimin e “agjentëve” të huaj brenda saj.

Një nga elementet kryesore të familjes së shëndoshë është komunikimi dhe mënyra nëpërmjet së cilës anëtarët e familjes komunikojnë  me njëri-me tjetrin, me rrethin familjar dhe shoqëror.

Një komunikim i drejtë  bashkon anëtarët e familjes në aktivitete të përbashkëta. Në familje ku ekziston mirëkuptimi, minimizohen mundësitë për tu shfaqur sjellje devijante. Sa më i madh që të jetë besimi i anëtarëve të familjes te njëri-tjetri aq më i madh është stabiliteti brenda asaj familje.