Evropa me ndihmë prej 156 miliardë eurosh për Ukrainën

Vendet evropiane kanë premtuar gjithsej 156 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, që është më shumë se dyfishi i 70 miliardëve të premtuara nga Shtetet e Bashkuara, tha të enjten Instituti për Ekonominë Botërore, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Instituti Kiel publikon raport mujor mbi ndihmën për Ukrainën. Ndihma evropiane përfshin mbështetjen e realizuar dhe të premtuar të anëtarëve të Bashkimit Evropian, si dhe atyre vendeve që nuk janë anëtare, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Norvegjinë.

Pra, instrumenti i ri i BE-së, i ashtuquajturi Fondi për Ukrainën, ka 50 miliardë euro për periudhën 2023-2027. Ndër linjat e tjera të ndihmës është një paketë mbështetëse ushtarake me vlerë 10.5 miliardë euro, të cilën Gjermania e ka premtuar për periudhën 2024-2027.

Në raport, Instituti përfshin edhe programet shumëvjeçare të ndihmës për Ukrainën, për të cilat janë angazhuar Norvegjia, Danimarka, Britania e Madhe, Zvicra, Portugalia dhe Lituania.

“Vlen të përmendet se sa shpejt Evropa kaloi në një program të përhershëm, shumëvjeçar të mbështetjes për Ukrainën,” tha Christoph Trebesh i Institutit për Ekonominë Botërore, i cili është përgjegjës për raportin e Ukrainës.

“Krahasuar me këtë, Shtetet e Bashkuara tani kanë mbetur seriozisht prapa, pasi nuk kanë njoftuar ndonjë ndihmë të re të madhe në muajt e fundit,” shtoi Trebesh.