Euroambasadori Gir nuk është i kënaqur me luftën kundër korrupsionit në RMV
Ambasadori evropian David Geer, në mbledhjen e djeshme të punës në Qeveri, në të cilën mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, ka paraqitur një sërë kritikash lidhur me përmbushjen e rekomandimeve për luftimin e korrupsionit nga raporti i vitit të kaluar i Komisionit Evropian. Të dy i vlerësuan si “të pamjaftueshme, të ngadalta dhe zhgënjyese” masat dhe rekomandimet e zbatuara nga Komisioni Kundër Korrupsionit – Strategjia Kombëtare për luftën kundër korrupsionit dhe nga Komisioni Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Edhe pse shohim njëfarë përparimi në reformat e sundimit të ligjit, lufta mbetet zhgënjyese. Në raportin e Komisionit Evropian ka udhëzime të qarta se çfarë duhet bërë dhe cilat janë prioritetet. Të gjithë i njohim, por deri më tani janë arritur shumë pak. Niveli i zbatimit është i pamjaftueshëm”, tha ambasadori evropian Gir.
Zëvendëskryeministrja Gërkovska përkujtoi se institucionet pas takimit të dhjetorit të vitit të kaluar kishin për obligim që në Kabinet t’i dorëzojnë plane me masa konkrete, të cilat dalin nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 dhe nga Strategjia Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikti i Interesit për vitet 2021-2025 pas së cilës do të monitorohet dinamika e realizimit të tyre.
“Nuk ka kohë për të pritur dhe nuk ka kohë për të humbur. Jo vetëm për sa i përket raporteve evropiane në vijim, por edhe për sa i përket pritjeve të qytetarëve për rezultate thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Përmbushja në kohë e detyrimeve varet nga të gjithë ne që drejtojmë institucionet. Afrimi me BE-në nënkupton forcimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së të gjitha institucioneve”, tha Gërkovska.
Ajo shprehu keqardhjen që raporti i fundit i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit tregon zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit prej vetëm 10 për qind dhe kërkoi nga institucionet që të angazhohen plotësisht për këtë detyrim.
Gir theksoi se progresi i vendit tonë në përballjen me korrupsionin do të vlerësohet seriozisht në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian dhe për këtë arsye, shtoi ai, është e nevojshme që të gjitha institucionet, të gjitha subjektet relevante në vend të bashkohen në përballjen me këtë fenomen.
“Qeveria, opozita dhe Parlamenti duhet të punojnë së bashku në këtë drejtim, sistemi gjyqësor duhet të rifitojë besimin e publikut, po ashtu i rëndësishëm është edhe roli i shoqërisë civile dhe medias. Të gjithë duhet t’i bashkohen kësaj lufte,” tha Geer.
Sekretarja e Shtetit në SÇE, Drita Abdiu Halili, informoi se trajtimi efikas i korrupsionit është parakusht për mbylljen e çdo kapitulli dhe për këto arsye është e rëndësishme që të gjitha institucionet, në çdo fushë, në të gjitha pjesët e sistemit, të punojnë me përkushtim për këtë çështje.
Koordinimi me institucionet përgjegjëse për trajtimin e korrupsionit është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm, i cili do të vazhdojë me takime individuale edhe në periudhën e ardhshme, pasi synimi është që të gjitha palët e përfshira të kontribuojnë në arritjen e rezultateve pozitive që do të pasqyrohen në raportin e radhës të Komisionit Evropian.
Kujtojmë se në vend të avancimit të masave dhe aktiviteteve për tejkalimin e faktorëve të rrezikut që nxisin korrupsionin në shtet, vitin e kaluar pati përmbushje dëshpëruese të aktiviteteve të tilla që çojnë në luftën kundër korrupsionit. Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) Biljana Ivanovska deklaroi se 10 për qind nga aktivitetet e planifikuara për vitin 2022 janë realizuar, ndërsa për krahasim, në vitin 2021 janë realizuar 20 për qind.
Në prezantimin e saj në fillim të prillit, Ivanovska tha se korrupsioni mbetet përditshmëria jonë dhe qytetarët në mungesë të sistemit të vlerave dhe integritetit e pranojnë atë si mënyrë më të lehtë për arritjen e qëllimeve të tyre.
- LEXO: RMV, vitin e kaluar u zbatua një përqindje dëshpëruese e aktiviteteve kundër korrupsionit
- LEXO: Ageler për ndryshimet kushtetuese: Mos të politizohet procesi, liderët të shohin interesin e vendit
- LEXO: Korrupsioni lulëzon në burgje, gjykata, qeveri – Departamenti i Shtetit me raport kritik për situatën në RMV