Korrupsioni lulëzon në burgje, gjykata, qeveri – Departamenti i Shtetit me raport kritik për situatën në RMV

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut po marrin masa për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut, por ka ende raporte të besueshme për trajtim çnjerëzor dhe poshtërues dhe mbipopullim në reparte të caktuara të burgjeve, dhunë dhe kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve, korrupsion serioz qeveritar, mungesë përgjegjësie për dhunën gjinore dhe familjare, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022, transmeton Portalb.mk.

Qeveria, thotë raporti, ka ndërmarrë hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer abuzime ose kanë marrë pjesë në korrupsion dhe veprime të tjera të paligjshme. Policia kombëtare ruan sigurinë e brendshme, duke përfshirë migracionin dhe sigurinë kufitare, dhe autoritetet civile kanë kontroll efektiv mbi forcat e sigurisë.

Kushtetuta dhe ligjet ndalojnë torturën, trajtimin çnjerëzor dhe degradues, por ka pasur raportime për abuzimin e policisë me të paraburgosurit dhe të burgosurit dhe përdorimin e forcës së tepruar. Qeveria mori masa për hetimin e këtyre rasteve dhe ndjekjen penale të autorëve. Njësia për standarde profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme raportoi se në shtatë muajt e parë të vitit ka proceduar 30 ankesa për përdorim të forcës së tepruar nga punonjësit e policisë. Departamenti vlerësoi se 16 nga kundërshtimet ishin të pabazuara, 11 refuzime për shkak të provave të pamjaftueshme, ndërsa tre u konfirmuan.

Burgjet e mbipopulluara dhe në gjendje dëshpërimisht të keqe, korrupsioni endemik

Në raportin e Departamentit të Shtetit theksohen kushtet e këqija në disa burgje, mungesa e ushqimit dhe kushtet e papërshtatshme sanitare. Problem mbetet mbipopullimi, sidomos në disa reparte të burgut të Idrizovës, burgut më të madh në vend. Disa qeli në Idrizovë kishin nga 16 deri në 19 të burgosur. Ai i referohet raportit të Ombudsmanit, i cili vuri në dukje kushte të këqija në shumicën e burgjeve të tjera dhe mungesë të përgjithshme të financimit dhe mungesës së personelit në sistemin e burgjeve.

Mungojnë kushtet arsimore dhe trajnimi për aftësitë e punës së të miturve, si dhe akomodimi i pamjaftueshëm i vajzave të mitura të moshës 14 deri në 16 vjeç. Të dhënat treguan se 58 për qind e të miturve të burgosur u diagnostikuan me probleme të shëndetit mendor.

Sipas Raportit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT), të cituar nga Departamenti i Shtetit, vuri në dukje menaxhim të dobët, korrupsion endemik në mesin e personelit të burgjeve, dhunë midis të burgosurve, kujdes të pamjaftueshëm shëndetësor dhe kushte të këqija për jetë (sidomos në Idrizovë). Nuk ka raportime për të burgosur apo të paraburgosur politikë.

Gjykatat joefikase, nën presion, të prirura për korrupsion dhe pa reputacion publik

Për sa i përket gjyqësorit dhe aksesit në drejtësi, raporti thekson se ligji ndalon arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe parashikon të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij në gjykatë dhe për të marrë kompensim për ndalimin e paligjshëm. Qeveria në përgjithësi i përmbushi këto kërkesa.

Kushtetuta parashikon gjykata autonome dhe të pavarura, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjyqtarëve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e publikut në sundimin e ligjit.

Sipas Këshillit Gjyqësor, besimi jashtëzakonisht i ulët i publikut në gjyqësor është për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm gjyqësor; gjyqtarët shtyjnë qëllimisht gjyqet ose shqyrtimin e apelit për të lejuar vjetërsime, veçanërisht në rastet e profilit të lartë që përfshijnë biznesmenë ose politikanë të pasur dhe me ndikim; ka gjyqtarë që besohet se bashkëpunojnë me avokatët mbrojtës për ryshfet ose tregtim me ndikim; dhe konflikti i interesit i kombinuar me nepotizëm. Edhe prokurorët kanë demonstruar sjellje joprofesionale dhe korrupsion përmes ndjekjeve të dobëta dhe akuzave të qëllimshme që nuk mbështeten me prova.

Gjykatat funksionuan me vonesa të konsiderueshme, veçanërisht në rastet e korrupsionit të profilit të lartë dhe më shumë të akuzuarve. Gjyqësori dhe Prokuroria Publike mbetën të pafinancuar dhe me staf të pamjaftueshëm, pavarësisht nga një rritje e lehtë në nivelet e financimit. Që nga 30 gushti, Gjykata e Lartë kishte vetëm 15 nga 28 gjyqtarë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Mediat dhe gazetarët të ndarë sipas linjave partiake

Në seksionin për lirinë e shprehjes dhe medias, thuhet se Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, përfshirë edhe median, dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë. Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM), megjithatë, qeveria ka treguar mungesë kapaciteti për të sanksionuar në mënyrë efektive shkeljet e të drejtave të gazetarëve dhe për të mbrojtur sigurinë e tyre. Në nëntor, Prokuroria Publike e Shkupit (PThP) konfirmoi se kishte caktuar një prokuror për të shërbyer si person kontaktues në lidhje me rastet që përfshijnë gazetarë dhe për të monitoruar rastet në të cilat gazetarët paraqiten si palë të dëmtuara, dëshmitarë ose autorë.

Theksohet se ligji ndalon gjuhën që nxit urrejtje kombëtare, fetare ose etnike dhe parashikon dënime për shkeljet. Individët mund të kritikojnë Qeverinë publikisht ose privatisht. Më 17 nëntor, Kuvendi miratoi njëzëri Ligjin për përgjegjësinë civile për fyerje dhe shpifje, i cili prezantoi një ulje të ndjeshme të dënimeve për mediat dhe gazetarët në paditë për shpifje.

Media dhe raportimi, sipas Departamentit të Shtetit, vazhduan të ndaheshin kryesisht përgjatë vijave politike, por numri i mediave të pavarura që shprehnin në mënyrë aktive pikëpamje të ndryshme pa kufizime të dukshme vazhdoi të rritet. Ligjet që kufizojnë gjuhën që nxit urrejtje kombëtare, fetare ose etnike mbulojnë gjithashtu median e shkruar dhe elektronike, botimin e librave dhe gazetat dhe revistat online. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizatat e shoqërisë civile regjistruan një rritje të konsiderueshme të “gjuhës së urrejtjes”, duke përfshirë në mediat sociale dhe disa media tradicionale.

Reklamimi i qeverisë qendrore në kanalet komerciale është i ndaluar, por reklamimi i pushtetit lokal nuk është i ndaluar. Shteti vazhdoi të subvencionojë median e shkruar. Në dhjetor 2021, pas një thirrjeje të hapur, qeveria ndau rreth 570,000 dollarë amerikan për 11 media të shkruara për të mbuluar një pjesë të kostove të shtypjes dhe shpërndarjes në 2021.

Ndikim shqetësues rus dhe lajme të rreme, veçanërisht përmes mediave serbe

Këshilli për Etikë në Media vazhdoi të punojë në përmirësimin e vetërregullimit. Deri më 16 gusht, këshilli kishte marrë 48 ankesa për raportime joetike dhe lajme të rreme, që është 50 për qind më pak se numri i marrë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2021. Gati 63 për qind e ankesave kanë të bëjnë me raportime joetike, me afërsisht 17 për qind për redaktim dhe 6 për qind për gjuhë të urrejtjes, thuhet ndër të tjera në raport.

Gjithashtu theksohet se gazetarët me përvojë dhe përfaqësuesit e mediave kanë shprehur shqetësim serioz për shkak të rritjes së ndikimit dhe dezinformimit rus, para së gjithash përmes pranisë së shtuar të mediave serbe në vend.

Në raport janë regjistruar edhe raste të kërcënimeve dhe ngacmimeve të gazetarëve. Që nga 15 gushti, ShGM ka pranuar tetë ankesa nga gazetarët. Policia ka thirrur gazetarët për “intervista informative”, pengesë të gazetarëve në kryerjen e detyrës, ka pasur kërcënime, ofendime dhe sjellje të pahijshme të zyrtarëve të pushtetit qendror dhe lokal apo anëtarëve të partive politike.

Sipas një hulumtimi të shtatorit nga platforma për gazetari investigative dhe analitikë, 80 për qind e gazetareve femra të anketuara ishin shpesh objektiv i ngacmimeve në internet, përfshirë kërcënime. Në shumicën e rasteve, ngacmimi lidhej me historitë e publikuara nga ata gazetarë.

Kujtojm se në raportin paraprak të DASh-it për terrorizmin, sipas Komitetit Nacional për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, rreth 143 qytetarë të Maqedonisë së Veriut (me përjashtim të fëmijëve) në këto disa vitet e fundit kanë udhëtuar për në Siri, Irak ose drejt të dyja vendeve për t’iu bashkuar grupeve terroriste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button