Është rritur në 51 numri i të vrarëve në sulmin e Izraelit ndaj kampit të refugjatëve në Gaza

Në sulmin që Izraeli kreu ndaj kampit të refugjatëve Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, është rritur në 51 numri personave që kanë humbur jetën kryesisht gra dhe fëmijë dhe se ka shumë njerëz të plagosur, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, bëhet e ditur se ushtria izraelite ka shënjestruar shtëpinë e familjes Saman e cila ndodhet në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në sulm humbën jetën 51 persona kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe u plagosën shumë të tjerë.

Ushtria izraelite kreu të paktën 15 sulme ajrore përreth Spitalit Indonezian. Si pasojë e goditjes së depove të ujit në rajonin Tel Ez-Zater, shtëpitë përreth u përmbytën.

Nga rrënojat e shtëpisë së shembur si pasojë sulmit të ushtrisë izraelit në shtëpinë e familjes Abu Hasira në perëndim të Gazës, u nxorën me ndihmën e Mbrojtjes Civile dhe qytetarëve përreth trupat e 5 personave.

– Shërbimet e urgjencës në spitale të mbushura me të plagosur rëndë

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një deklaratë njoftoi se ka shumë të vrarë dhe të plagosur, kryesisht gra dhe fëmijë si pasojë e “masakrës” që shënjestroi kampin e refugjatëve Al-Maghazi dhe se shërbimet e urgjencës në spitale janë të mbushura me të plagosur rëndë.