Është rritur në 48.365 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Në spitale janë transferuar trupat e 17 palestinezëve që u nxorën në 48 orët e fundit nga rrënojat në Rripin e Gazës, ku u arrit një armëpushim pas 471 ditëve të sulmeve izraelite, transmeton Agjencia Anadollu.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka ndarë informacionet e fundit lidhur me të vrarët dhe të plagosurit si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve të arritur midis Izraelit dhe Hamasit më 19 janar.

Në deklaratë thuhet se gjatë 48 orëve të fundit në spitale janë sjellë trupat e pajetë të 17 palestinezëve që janë nxjerrë nga rrënojat dhe se gjatë kësaj periudhe janë plagosur edhe 19 të tjerë.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat vazhduan nga 7 tetori 2023 deri në armëpushimin e 19 janarit është rritur në 48.365 ndërsa numri i të plagosurve në 111.780.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve të arritur me Hamasin, Izraeli vazhdon të shkelë shpesh armëpushimin në Gaza.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh në një deklaratë më 11 shkurt tha se 92 palestinezë janë vrarë në sulmet e drejtpërdrejta të Izraelit në Rripin e Gazës që nga marrëveshja e armëpushimit.