Një nxënës ka qëlluar me armë zjarri në një shkollë në Bosnje-Hercegovinë, ka të plagosur (Video)

Në mëngjesin e sotëm në shkollën fillore në Llukavac në Bosnje-Hercegovinë ka pasur të shtëna me armë zjarri ku një person ka pësuar lëndime në zonën e qafës dhe aktualisht është duke iu nënshtruar një operacioni, transmeton Portalb.mk.

Pacienti me iniciale O.N. është hospitalizuar në Qendrën spitalore univesitare të Tuzlës me një plagë me armë zjarri në zonën e qafës, raportoi TV N!.

“Pacienti është intubuar, operimi aktualisht është në vijim”, thuhet në njoftimin e QSU Tuzla.

Sipas informacioneve fillestare ka të lënduar, por nuk janë nxënës, ka konfirmuar Edin Deliq, kryetar i komunës së Llukavacit.

“U kërkoj prindërve që të parandalojnë panikun. Autori është i mitur dhe është arrestuar menjëherë. Ditë e vështirë”, tha Deli1.

Mediat boshnjake kanë publikuar edhe një video të kapjes së të dyshuarit për të shtënat në shkollë.

Siç ka raportuar Klix.ba, bëhet fjalë për nxënësin G.M (2008), i cili për sjellje të keqe është transferuar nga një shkollë fillore në tjetrën. Një nxënës ka ardhur i armatosur në shkollë mëngjesin e sotëm dhe ka kërkuar N.O. të cilin e ka qëlluar në kokë.