ESHR: Krizën energjetike e pritëm të papërgatitur, nuk ka pasur investime të mëdha në prodhimin e rrymës

Masat dhe aktivitetet të cilat ndërmerren nga institucionet kompetente në sektorin e energjetikës nuk janë mjaftueshëm efikase që të sigurohet qëndrueshmëri në sigurimin afatgjatë të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, thuhet në raportin përfundimtar për kryerjen e revizionit “Gatishmëria e sistemit energjetik të përballet me krizën energjetike”, të Entit Shtetëror të Revizionit, njofton Portalb.mk.

Revizorët kanë një sërë kritika për përballjen e shtetit me krizën energjetike. Kanë konstatuar se shteti nuk ka mjaftueshëm, resurse energjetike të parinovueshme, ndërkaq kapacitetet i ka të vjetruara, të cilat nuk mund të sigurojnë prodhim stabil të energjisë elektrike. Kjo, siç thuhet në raport, e bën shtetin që të jetë i varur nga importi i rrymës, e cila në mënyrë të pafavorshme shprehet gjatë kohës së krizës energjetike.

Revizorët shtojnë se obligimet e ndërmarra ndërkombëtare për sigurimin e “energjisë së gjelbër” nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në burimet rinovuese të energjisë zhvillohen pa plan për aktivitete të precizuara, me kufizime administrative dhe ritëm të ngadaltë.

“Aktivitetet planore për përmirësimin e efikasitetit energjetike janë në shkallë të ulët të zbatimit dhe komunat nuk janë të kyçura mjaftueshëm. Janë miratuar shumë masa për zbutjen e efekteve nga kriza energjetika, të cilat pjesërisht janë zbatuar nga institucionet në nivel qendror dhe lokal, por mungojnë mekanizma kontrolli për ndjekjen, me qëllim që të fitohen rezultatet e dëshiruara dhe efektet”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se shteti disponon me resurse të kufizuara të qymyrit, ndërkaq lokacionet e reja ende nuk janë shfrytëzuar, për çka ndahen mjete të konsiderueshme financiare.

Kapacitetet prodhuese të cilat marrin pjesë në të ashtuquajturën energji “bazike” janë të vjetërsuara, që ndikon në dukurinë e defekteve të shpeshta, ndërkaq me atë edhe në zvogëlimin e prodhimit të energjisë elektrike. Më tej, në raportin e revizionit thuhet se në periudhë të gjatë kohore nuk janë bërë investime të mëdha për modernizimin e kapaciteteve ekzistuese, por edhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja të cilat nuk e rrezikojnë mjedisin jetësor dhe prodhojnë sasi më të madhe të energjisë elektrike, stabilitet energjetik dhe qëndrueshmëri më të gjatë.

“Në periudhën prej vitit 2019-të deri në vitin 2022 nuk janë kryer investime të mëdha dhe projekte strategjike të cilat duhet të sigurojnë sasi më të madhe të energjisë elektrike”, thuhet në raport.

ESHR jep rekomandime konkrete deri te Qeveria që të modernizohet termoelektrana “Negotinë”, duke i zëvendësuar pajisjet aktuale, duke e ristrukturuar prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri dhe mazuti në burim tjetër të energjisë, ndërkaq gjatë krijimit të politikave energjetike të merren parasysh nevojat dhe kërkesat e komunave për rritjen e efikasitetit energjetik.

Ministrisë së Ekonomisë, revizorët i kanë rekomanduar që të iniciojë procedurë për miratimin e draft-programit për realizimin e Strategjisë për zhvillim të energjetikës për periudhën 2021-2025, por edhe të përgatitet Strategji për rikonstruim të ndërtesave për banim dhe ndërtesave publike dhe komerciale.

Revizorët rekomandojnë që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve duhet që t’í shqyrtojë mundësitë për ndryshimin e Ligjit për Ndërtim dhe Zgjerim të dispozitave për lehtësimin e procedurës për dhënien e miratimit për ndërtim të kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet rinovuese deri në 1 megavat orë, por edhe rritjen e afatit prej 5 ditësh që të shqyrtohet kërkesa për miratimin e lejes për ndërtim.

Elektranave të RMV-së (ESM), revizorët i rekomandojnë që të ndërmarrin aktivitete për konstatimin dhe harmonizimin e saktë të rezervave të qymyrit në TEC Manastiri. Nga ESM kërkohet që në bashkëpunim me qeverinë t’í intensifikojë dhe përshpejtojë aktivitetet për fillimin e ndërtimit të projekteve të mëdha për prodhimin e rrymës.