Erjona Emini: Nga palestra e Tetovës drejt medaljes evropiane dhe botërore
Në qytetin e Tetovës po rritet një emër që premton të shkruajë histori në sportin e karatesë Erjona Emini, anëtare e Klubit të Karatesë “Shkëndija” në Tetovë dhe e Reprezentacionit të Federatës së Karatesë së Maqedonisë së Veriut. Me një koleksion mbresëlënës medaljesh nga gara prestigjioze, përfshirë edhe sukseset ballkanike, Erjona po dëshmon se disiplina, përkushtimi dhe pasioni mund ta çojnë një sportiste të re drejt majave të suksesit, shkruan Portalb.mk.
Aktualisht, ajo ndodhet në fazën intensive të përgatitjeve për Kampionatin Shtetëror që do të mbahet në 15 nëntor 2025 garë kyçe për kualifikimin në turnetë ballkanike dhe evropiane, ku pritet të përfaqësojë me krenari jo vetëm Tetovën, por gjithë vendin.
Erjona Emini për Portalb.mk tha se karateja si sport i ka dhuruar momente të paharrueshme.
“Me sportin e karatesë kam filluar të merrem në moshën 10 vjeçe. Frymëzimi im për të filluar këtë sport ishte babi dhe xhaxhi të cilët gjithashtu kanë qenë pjesë e këtij klubi, si dhe gjyshi si një ndër themeluesit e klubit. Ndjenjat që më jep podiumi janë të papërshkrueshme, është një emocion shumë i fortë dhe i mrekullueshëm. Karateja si sport më ka dhuruar momente të paharrueshme”, tha Emini.
“Përgatitjet për garat ndërkombëtare janë shumë të vështira, por me ndihmën e trajnerit, po punojmë me përkushtim dhe besim se do të arrijmë suksesin”, tha Emini.
“Aktualisht po përgatitem për kampionatin shtetëror, kampionatin Ballkanik në Kroaci dhe Ligën botërore të të rinjve në Itali. Po stërvitem dy herë në ditë dhe po mundohem ta jap maksimumin që të arrij të ngjitem në podium. Përgatitjet për garat ndërkombëtare janë shumë të vështira, por bashkë me ndihmën e trajnerit profesor Vegimit po përgatitemi intenzivisht duke e dhënë maksimumin”, tha Emini.

Ajo shtoi se si çdo sportist, edhe ajo kam pasur disa dështime të vogla, por ato e kanë bërë më të fortë. Çdo humbje është një mësim i ri. Të qenurit vajzë nuk e pengon të merret me sport luftarak sfida më e madhe është të fitosh betejën me veten.
“Si çdo sportist tjetër edhe unë kam pasur disa dështime të vogla, por për mua ato kanë qenë shtytje që të mos dorëzohem. Çdo humbje më mëson një gjë të re dhe më ndihmon t’i përmirësoj gabimet. Të qenurit vajzë nuk më pengon aspak të merrem me sport luftarak. Sfida më e madhe e çdo sportisti është të punosh me veten”, tha Emini.

Emini deklaroi se të përfaqëson Tetovën dhe Maqedoninë e Veriut është krenaria e saj më e madhe. Synimi i saj është medalja evropiane, pastaj ajo botërore dhe pse jo, edhe olimpike.
“Të përfaqësoj Tetovën dhe Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare është një ndjenjë e veçantë që jo gjithkush arrin ta përjetojë. Për mua është krenari dhe privilegj. Synimi im më i madh në karrierën e karatesë është fillimisht medalja evropiane dhe pastaj pse jo edhe ajo botërore, si dhe olimpike. Unë do t’ju sugjeroja gjithë të rinjve të merren me sport. Sporti, përveç aktivitetit fizik, na jep edhe shumë mundësi të tjera si është njohja me kultura të reja, krijimi i një shoqërie të re, si dhe ndjenja të paharrueshme. Sporti gjithashtu është i mirë edhe për shëndetin tonë fizik dhe psiqik”, tha Emini.
Erjona është një frymëzim për shumë të rinj dhe të reja që merren me sport, sukseset e saj janë dëshmi e punës së palodhur dhe disiplinës që ka për sportin e karates. Me çdo medalje dhe pjesëmarje në gara prestigjioze ajo vazhdon të ngrejë emrin e Tetovës dhe të Maqedonisë së Veriut në sportin e karatesë.
