Erdogani më në fund e nënshkroi aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, tani duhet ta ratifikojë parlamenti

Qeveria turke dërgoi sot aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO në parlamentin turk për ratifikim, duke i dhënë fund pritjes tetë-mujore të Ankarasë për të miratuar kërkesën e suedezëve për anëtarësim në aleancë, transmeton Portalb.mk.

“Protokolli për pranimin e Suedisë në NATO u nënshkrua nga presidenti Recep Tayyip Erdogan më 23 tetor 2023 dhe u dërgua në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë”, njoftoi  zyra e Erdoganit.

Kryeministri suedez Ulf Kristerson e përshëndeti hapin.

Turqia bllokonte prej kohësh anëtarësimin e Suedisë, duke kritikuar Stokholmin për rekrutimin e anëtarëve të grupeve opozitare turke që qeveria e Erdogan i konsideron terroriste.

“Është ende e paqartë se sa kohë do t’u duhet parlamentarëve turq”, tha një diplomat perëndimor.

Suedia dhe Finlanda aplikuan së bashku për t’u bërë anëtarë të NATO-s në maj 2022, duke thyer një traditë të gjatë të neutralitetit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Finlanda tashmë është bërë anëtare, ndërsa Suedia pret miratimin nga Turqia dhe Hungaria.