“Era” në dhjetor edhe në RMV, Parta Kelmendi: Kam dashur t’i jap zë një gjenerate që jetoi në një kohë të pa kohë
Portalb.mk: “Era” është një film që ndërlidh kujtesën, humbjen dhe lirinë, cili është momenti që e ndezi shkëndijën për ta shkruar këtë histori?
Parta Kelmendi: Kjo histori lindi si nevojë për të reflektuar në të kaluarën time, kam pasur nevojë me e analizuar edhe me e kuptuar si këto ngjarje gjatë viteve të 90’ta na kanë formësuar si individ edhe si shoqëri. Vitet e 90-ta kanë qenë vite shumë të vështira për ne, një rezistence kolektive që zgjati për një dekade dhe brenda gjithë këtyre vështirësive gjithmonë kishte dashuri dhe kujdes për tjetrin. Njerëz normal qe jetonin në një kohe abnormale. Thjesht ka lind si nevojë personale për ta kuptuar vetveten, rrethin dhe shoqërinë.
Portalb.mk: Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë në festivale ndërkombëtare. Kur ju mbërritën ftesat e para, a ndjetë triumf apo frikë se tashmë historia juaj po del në gjykimin e botës?
Parta Kelmendi: Filmi premierën botërore e ka pasur në Brooklyn Film Festival në New York. Publiku atje e ka pritur shumë mirë, kritikat nga festivali kanë qenë shumë të mira dhe u kthyem edhe me çmimin për aktoren më të mirë të festivalit. Është kënaqësi që puna jonë po vlerësohet dhe filmi po komunikon shumë mirë me publikun si vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Portalb.mk: Ju vini nga një vend që ende po rikuperon traumën e viteve ‘90. A është filmi juaj një formë e kujtesës kolektive apo rebelim personal?
Parta Kelmendi: Të dyja bashkë. Rebelim personal ndaj një kohe që na ka privua nga fëmijëria dhe rinia normale e njëkohësisht edhe kujtim kolektiv sepse kjo i ka ndodhë një populli të tërë.
Portalb.mk: Në film duket sikur heshtja flet më shumë se dialogu a është kjo një zgjedhje e qëllimshme për të treguar dhimbjen që nuk thuhet me fjalë?
Parta Kelmendi: Njerëzit në atë kohë kanë qenë të hutuar. Nuk ka pasur shumë fjalë, se nuk kanë ditë as çka të thonë, situata ka qenë shumë e ndjeshme, kanë dëgjuar lajme nëpër radio e kanale të ndryshme, por që nuk kanë pas informacion direkt meqë Televizioni i Prishtinës i pati nxjerrë punëtorët shqiptarë nga puna. Njerëzit nuk e kanë ditë çfarë do të ndodhë nesër. Unë jam munduar ta sjellë këtë ndjenjë dhe atmosferë në film. Pasigurinë e familjes dhe rebelimin e Erës.
Portalb.mk: Cila është “era” që fryn në jetën e Parta Kelmendit, erë kujtimesh, revolte apo ëndrrash?
Parta Kelmendi: Për me mund me ëndërruar e lirë duhet të kalosh përmes kujtimeve pastaj natyrshëm vjen revolta. Revolta është moment shumë i rëndësishëm për zhvillim personal, është momenti kur e kupton që diçka nuk është në rregull dhe vendosë ta sfidosh veten dhe rrethin për me ndryshu dhe gjetë vetveten. Mendoj që të gjithë kalojmë nëpër faza të ndryshme gjatë jetës dhe kështu mësojmë për jetën, për veten, për botën.

Portalb.mk: A e shihni veten si pjesë e brezit të ri që po rishkruan mënyrën si rrëfehen historitë e grave shqiptare në film?
Parta Kelmendi: Mendoj që jemi duke jetuar në një kohe ku historitë e grave për herë të parë globalisht kanë filluar të trajtohen. Deri vonë edhe kinematografia botërore nuk i ka pasur në qendër gratë, bota po ndryshon edhe ne po ndryshojmë bashkë me botën. Kështu që po, mendoj që i takoj një brezi që i jep zë grave dhe historive të tyre.
Portalb.mk: Sa e vështirë është për një grua regjisore të mbetet autentike në një industri ku shpesh duhet të “luftosh” për çdo skenë, çdo buxhet, çdo vendim artistik?
Parta Kelmendi: Mendoj që detyra e secilit prej nesh është me qenë autentik, kur je autentik je i lumtur. Ne jetojmë në një botë me shumë paragjykime, edhe nuk është e lehtë të jesh autentik meqë njerëzit kanë nevojë ti kategorizojnë të tjerët. Unë si natyrë jam pak rebele dhe nuk frikësohem nga paragjykimet, sepse kur dikush paragjykon ma shumë flet për limitet e tij dhe kjo pastaj me intrigon me i hulumtu ato. Kështu që po, përpiqem maksimalisht të jem autentike edhe nëse dikujt nuk i pëlqej.
Portalb.mk: Në një epokë ku gjithçka është zhurmë, ju e keni zgjedhur heshtjen dhe ritmin e ngadaltë. A është kjo një protestë ndaj mënyrës si po e konsumojmë artin sot?
Parta Kelmendi: Jemi duke jetuar në një botë që po ndryshon shumë shpejt. Unë mendoj që e kemi fatin që po jetojmë në këtë periudhe, çdo ndryshim është i vështirë në fillim, por pastaj adaptohesh e nuk mundesh me e kuptu si ke jetu në të kaluarën pa gjitha këto privilegje që ne i jetojmë sot. Unë besoj që e gjithë kjo zhurmë do të pushojë kur ne do të mësohemi që përpos dietës në ushqim, duhet të mbajmë edhe dietë të trurit. Duhet me shume kujdes të seleksionojmë çka shohim e dëgjojmë, të vetëdijesohemi për algoritmet dhe për inteligjencën artificiale. Të gjitha këto vijnë bashkë me të mirat e të këqijat e tyre, por për ne është e rëndësishme të zhvillojmë mendimin kritik, të dimë të analizojmë me trurin tonë që të mos biem pre e manipulimeve të shumta. Duhet të mësojmë të mendojmë vet. Kështu që nuk mundem ta quaj protestë por thjesht kujdes dhe vëmendje e shtuar ndaj asaj që konsumoj për ta ruajtur shëndetin mendor.

Portalb.mk: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë xhirimeve të “Era”?
Parta Kelmendi: Kemi xhiruar në të ftohtë në kohë pandemie dhe nuk ishte e lehtë, por me përkrahjen e një ekipi fenomenal kemi arritë ti kalojmë të gjitha sfidat.
Portalb.mk: Cili moment ju ka bërë të ndjeni se keni krijuar diçka të pavdekshme?
Parta Kelmendi: Publiku e ka pritë shumë mirë filmin, si duket edhe publiku ka pas nevojë të reflektoj mbi atë kohë. Për mua është nder dhe privilegj që kam pas mundësinë të krijojë diçka që po rezonon kaq mirë me publikun.
Portalb.mk: Ju shpesh keni folur për lirinë e trupit dhe mendjes si temë qendrore a mendoni se shoqëria jonë është vërtetë e lirë sot?
Parta Kelmendi: Liria është një koncept shumë i gjerë dhe individual, mundet me pas shoqëri të lirë, por ti të mos jetosh i lirë në atë shoqëri, por njëkohësisht një individ mundet të jetojë i lirë edhe në një shoqëri që nuk është. Sidomos në kohërat e sodit, po koncentrohemi te zhurma e nuk po i shohim mundësitë që i kemi. Duhet të ngrisim vetëdijen kolektive për të qenë të lirë, duhet të lirohemi nga paragjykimet, të kthehemi nga vetvetja, ta hapim mendjen e çka është edhe më me rëndësi, ta hapim zemrën. Mendoj që kemi punë për të bërë.
Portalb.mk: A keni dashur që përmes Erës të flisni edhe për veten, për gjeneratën tuaj, për gratë që nuk u dëgjuan?
Parta Kelmendi: Përmes Erës kam dashur t’i jap zë një gjenerate që ka jetuar në një kohë të pa kohë, një popull me një fuqi të madhe rezistencë, gra që qëndruan në vend dhe u kujdesën për familjen, rrethin e shoqërinë. Një vlerësim për forcën, dashurinë dhe rezistencën e asaj kohe.

Portalb.mk: A besoni se një film mund të ndryshojë realitetin social, apo vetëm mënyrën si e shohim atë?
Parta Kelmendi: Filmi mund të kontribuojë si një pasqyrë e shoqërisë, mund të nxisë reflektim dhe të thyej paragjykime. Kështu edhe të bëhet katalizator për ndryshime sociale, por pa kontributin e tërë shoqërisë ndryshimet janë gjithmonë të ngadalshme. Për me u ndryshu realiteti social duhet të kontribuoj e gjithë shoqëria.
Portalb.mk: Shpesh thuhet se arti i madh lind nga dhimbja po në rastin tuaj, çfarë e ushqen krijimtarinë: dhimbja apo dashuria?
Parta Kelmendi: Gjithçka lind nga dashuria pastaj rrugës ballafaqohesh edhe me dhimbjen, kur e përjeton dhimbjen e gjen kuptimin e plotë të dashurisë. Kështu që gjithçka lind dhe përfundon me dashuri.
Portalb.mk: Ju vini nga një realitet ku gratë rrallë kanë pasur hapësirë të tregojnë historitë e tyre përmes kamerës. Si ka qenë ky udhëtim sfidë, rebelim apo mision?
Parta Kelmendi: Të gjitha së bashku, fillon si mision pastaj ballafaqohesh me sfida, rebelohesh e i tejkalon ato për ta përfunduar misionin. Unë vij nga një vend qe ka kaluar nëpër sfida të ndryshme dhe pos grave edhe burrat kanë qenë pa zë, por prindërit e mi janë gazetarë dhe ata tërë kohën kanë regjistruar zërat e të tjerëve. Ndoshta edhe kjo ka qene arsyeja që kam fillu me i pëlqye tregimet e rrjedhimisht edhe e kam zgjedhë këtë rrugë.

Portalb.mk: “Era” është histori e një vajze që përballet me kufizime a është ky edhe një reflektim i kufizimeve që shoqëria i vendos vetë grave krijuese?
Parta Kelmendi: Ky është një kufizim që fillon nga shoqëria kalon në familje, nga familja kalon sërish në shoqëri. Mendoj që krijuesit janë ata të cilët me punën e tyre e vetëdijesojnë shoqërinë duke i trajtuar këto çështje të ndjeshme. Sa më shpejt e kuptojmë që jemi të kufizuar aq më shpejt mund të punojmë për ta ndryshuar realitetin tonë dhe të jetojmë më të lirë si individ e pastaj edhe si shoqëri.
Portalb.mk: A mendoni se gratë krijojnë ndryshe nga burrat jo vetëm për shkak të përvojës, por për shkak të mënyrës si e ndiejnë botën?
Parta Kelmendi: Mendoj që çdo njeri krijon ndryshe. Nuk mundesh me i gjet dy gra ose dy burra që krijojnë njëjtë, çdo njeri është ndryshe, ose më mirë me thënë i veçantë. Çdo njeri ndjen ndryshe, mendon ndryshe edhe kjo është pasuri, nuk duhet të frigohemi me qenë ndryshe sepse atëherë jemi të veçantë dhe me afër vetvetes.
Portalb.mk: Kur pritet qe filmi Era te shfaqet edhe ne Maqedoninë e Veriut?
Parta Kelmendi: Era do të fillojë të shfaqet në Maqedoninë e Veriut nga dhjetori, mezi po presim ta ndajmë filmin edhe me publikun atje.