Epoka e skajshmërive: Nga rendi drejt kaosit të ri botëror (I)
Ndodhia që “vulosi” agjendën e këtyre ditëve: polemika e pazakontë dhe pahijshme Trump-Zelensky, para medieve, në zyrën ovale. Një fjalor dhe qasje jodiplomatike, një tërmet politik ndërkombëtar që do të regjistrohet në kujtesën globale të shekullit në të cilin jetojmë, që ka sfondin e vet historik.
Siç dihet, Muri i Berlinit, 1989, shënon përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe nismën e proceseve globalizuese. 2010-ta është simbol i fillimit të një ndryshimi të thellë në skenën internacionale. Sipas Michael Kimmage (2025) “duke mësuar të shfrytëzojnë mjetet e këtij shekulli, një grup figurash karizmatike ringjallën arketipet e shekullit të mëparshëm: udhëheqësi i fortë, kombi i madh, qytetërimi krenar.” Putin, Jinping, Modi është sëra që përshkruan këtë frymë të liderëve të vetëshpallur të fuqishëm, të cilët nuk i japin shumë rëndësi sistemeve të bazuara në rregulla, që shpërillin aleancatapo forumet ndërkombëtare. Momenti më domethënës në këtë evolucion ndodhi në vitin 2016, kur Donald Trump fitoi presidencën e Shteteve të Bashkuara. Rikthimi i tij në vitin 2024 lëkundi paramatret e politikës planetare. Trampizmi është një manifestim i zemërimit dhe armiqësisë, i aktivizuar për të mbrojtur identitetin që bazohet në dominim (Powell, 2025), i amerikanizmit të deformuar (Yang, 2018). Për të kuptuar më mirë gjendjen e krijuar në këtë fillimvit është me rëndësi të kuptojmë dy shprehje që kanë zënë vendin e tyre në fjalorët e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare: rendi dhe çrregullimi i ri botëror.
Rendi i ri botëror (new world order) – Togfjalësh që përdoret për t’iu referuar një periudhe të re në historinë e ndryshimeve dramatike në mendimin politik botëror, për të shënuar të ashtuquajturin baraspeshim të forcave (balance of power). U përdor për herë të parë nga Woodrow Wilson-i për periudhën menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, gjatë formimit të Lidhjes së Kombeve. Në vitin 1940 H. G. Wells-i botoi librin Rendi i ri botëror (The New World Order) ku flet për një botë ideale pa luftë, në të cilën e drejta dhe rendi rrjedhin nga trupi qeverisës botëror dhe nga idetë e propozimet e shqyrtuara. Termi është përdorur edhe për krijimin e institucioneve ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, si Kombet e Bashkuara, NATO, FMN, IBRD etj. Kuptimi më aktual i kësaj shprehjeje është ai që lidhet me periudhën pas Luftës së Ftohtë. Në vitin 1990 presidenti amerikan George Bush i vjetri në një sesion të Kongresit mbajti një fjalim të titulluar „Drejt një rendi të ri botëror“, ku theksonte fuqinë e SHBA për të krijuar një botë të sundimit të së drejtës, për partneritetin SHBA-Rusi që do ta bënte botën më të sigurt dhe më demokratike, për rëndësinë e misionit paqeruajtës të OKB-së dhe siç thotë P. Buchanan-i, rolin e policit global që duhej ta luanin SHBA. Ishte koha kur Europa Lindore dhe Bashkimi Sovjetik po merrnin trajtë të re, kur bota po i shmangej epokës dypolëshe, kur duhej të lindte një botë shumëpolëshe, pa perde të hekurt, e çliruar nga stresi për përballje bërthamore, „një botë e zgjidhjes së mospajtimeve me mënyra paqësore“. Por Bosnja, Afganistani dhe Iraku këtë tezë e bënë të diskutueshme. Bota ra në duart një „superfuqie“, u shfaq një forcë e vetme në botën shumëpolëshe (Los Angeles Times). Siç shprehet Huntington-i, bota ndryshoi, por nuk u bë më paqësore, u pa se euforia në fund të Luftës së Ftohtë përftoi një iluzion të harmonisë, ndryshimi ishte i pashmangshëm, por përparimi nuk u shënua. Analisti dhe gjuhëtari amerikan Noam Chomsky thotë se rendi i ri botëror paraqet vazhdimësinë e të njëjtit program të Perëndimit me arsyetime të reja. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.