Enti Shtetëror i Revizionit ka gjetur parregullsi të shumta në Korridoret 8 dhe 10d

Enti Shtetëror i Revizionit ka gjetur parregullsi të shumta në Korridoret 8 dhe 10d. E para që ka rënë në sy të revizorëve është fakti se për Korridorin 8 dhe 10d nuk ka projekt bazë dhe specifikim teknik, që do të thotë se projektimi do të bëhet gjatë ndërtimit. Edhe pse vlera indikative e Komiteti të transportit ishte parashikuar 585 milion euro, në marrëveshjen e arritur vlera e projekti është 1 miliardë e 319 milion euro, raporton Alsat

“Në lidhje me vlerësimin e bërë potencojmë se në listën e projekteve, këto dy projektet janë vlerësuar si të pamatur mirë, mungon dokumentacioni i plotë për të filluar ndërtimin, përkatësisht është potencuar se për kompletimin e dokumentacionit nevojitën 24 muaj”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Korridoret 8 dhe 10d.

Revizori ka konstatuar se pavarësisht milionave të lëshuar në xhirollogari të Bechtel&Enka, deri në fund të vitit kaluar janë realizuar vetëm 0,12% e ndërtimi, që nënkupton se që në fillim ka devijim nga planifikimi i realizimit të Korridoreve 8 dhe 10d.

“Është kryer vetëm 53 për qind e shpronësimit, ndërsa në 33 për qind ka arritur testimi gjeoteknik. Kjo situatë e realizimit të projektit për korridoret në këtë formë, pa dokumentacion teknik të përgatitur nga ku duhet të përcaktohet vlera e parashikuar, mund të sjell rreziqe të mëdha fiskale dhe ndërlikime në buxhet dhe fondet publike. Në raportin e BE-së për vitin 2023 të publikuar në tetor është potencuar se më këtë projekt është rritur shfaqja ndaj rreziqeve dhe komplikimeve fiskale. Raporti është thirrur në vlerësimit e FMN-së dhe për këtë arsye mjetet nga “Linjat e kujdesit” janë anuluar”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Korridoret 8 dhe 10d.

raportin paraprak të Revizionit “Realizimi i investimeve kapitale të financuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, fondet e BE-së dhe fondet nga institucionet e tjera financiare ndërkombëtare nën juridiksionin e pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale”, thuhet se ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d, me gjatësi 108 km dhe vlerë të parashikuar prej 1,319 miliardë euro, është miratuar një ligj i veçantë që rregullon kushtet dhe mënyrën e ndërtimit. Deri në dhjetor 2023, vetëm 0.12 për qind e kostove kanë të bëjnë me ndërtimin, gjë që tregon një devijim nga dinamika e planifikuar e ndërtimit.

Ndryshe, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, ka thënë se shpreson që para ardhjes së Vitit të Ri, “Bechtel dhe Enka” të fillojë me ndërtimin e autostradave që janë pjesë e korridoreve 8 dhe 10. Ai thotë se para së gjithash duhet të përfundojë shpronësimi i nevojshëm dhe të dislokohen linja të caktuara elektrike dhe telekomunikuese, në mënyrë që të fillojë ndërtimi.

Kujtojmë se në fillim të korrikut, ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrievska Koçoska tha se korridori 8 nuk është prioritet pasi nuk jep vlerë të shtuar.

Ministrja tha se nga ky projekt me buxhet të limituar dhe me mjete jo të mjaftueshme vendi nuk fiton vlerë të shtuar.

Më 8 mars 2023, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill 2023 në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Më 22 prill 2023 u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Ndërkaq më 1 qershor 2023 në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Në lidhje me marrëveshjen për ndërtimin e këtyre korridoreve në opinion u ngrit alarmi për dyshime për keqpërodorime.