Enit Karafili fitoi Çmimin e Madh të Letërsisë 2024 me romanin “Epope intime”

Sot u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, nën drejtimin e jurisë së kryesuar nga Besnik Mustafaj, me anëtarë Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli, shkruan Portalb.mk.

Çmimi i Madh i Letërsisë iu dha Enit Karafili për romanin “Epope intime” (Botimet Pegi), një vepër që ndërton një vizion të pasur letrar mbi përkatësinë identitare dhe sfidon tabutë kulturore, duke trajtuar edhe sfidat e migrimit të shqiptarëve jashtë atdheut.

Çmimi i Madh i Përkthimit shkoi te Romeo Çollaku për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit (Botimet Albas). Juria vlerësoi saktësinë e lartë terminologjike dhe ruajtjen e strukturës, ritmit dhe forcës bindëse të origjinalit, duke sjellë një kontribut të vyer në diskursin filozofik në gjuhën shqipe.

Çmimi i Madh i Studimeve iu dha Anila Mullahi (Elezi) për librin “Krijimi letrar në proces” (Botimet Pegi), studim që hulumton dorëshkrimet, letrat dhe ditarët e Dritëro Agollit dhe vendos themelet e kritikës gjenetike në letërsinë shqipe.

Këta fitues shënojnë kontribute të rëndësishme në pasurimin e letërsisë dhe studimeve letrare shqiptare, duke evidentuar talentin dhe profesionalizmin në fushën e krijimtarisë, përkthimit dhe kritikës letrare, bëjnë të ditur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.