Ende asnjë provë se sulmi kibernetik ndaj RTSH-së u krye nga hakera serbë

Faqja zyrtare në rrjet dhe llogaritë në rrjete sociale të Radio Televizionit Shqiptar ranë pre e një sulmi kibernetik në Maj 2025. Sipas mediave, kryesisht atyre nga Kosova, por edhe në Shqipëri, sulmi erdhi nga hackera serbë. Ky përfundim duket se u arrit nisur nga mesazhi që hackerat shpërndanë në faqet zyrtare të RTSH. Aty u shfaq harta e Kosovës, mbuluar nga flamuri serb dhe fjalët “Kosova është Serbi”. Në fakt, institucionet në Shqipëri thanë për Faktoje se ngjarja është ende duke u hetuar dhe se nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e këtij sulmi kibernetik, raporton Faktoje.al.

Jona Plumbi

Në datën 19 Maj, faqja zyrtare e Radio Televizionit Shqiptar, transmetuesi shtetëror në vend, ranë pre e një sulmi kibernetik. Në faqet zyrtare dhe llogaritë në facebook dhe Instagram të RTSH-së u shfaq harta e Kosovës e mbuluar nga flamuri serb dhe mesazhi “Kosova është Serbi”.

Lajmi u përhap me shpejtësi.

RTSH shpërndau një njoftim ku lajmëroi se “llogaria ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar postime të paautorizuara”.

Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë.” – shkruante njoftimi i RTSH i publikur në rrjetet sociale të transmetuesit.

Ky publikim tashmë nuk gjendet në faqen zyrtare të RTSH-së.

Ndërkohë me një kërkim ne rrjet rezulton se publikimet e paautorizuara kanë vazhduar edhe disa ditë pas sulmit fillestar.

Në 24 Maj u shpërnda ky publikim:

Kosova eshte Serbi, faktoje.al
Kosova eshte Serbi, faktoje.al  

Publikimet përsëri shpërndanin të njëjtin mesazh dhe përsërisnin narrativën serbe të “abuzimit të popullit serb”.

Disa media në Shqipëri por edhe Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, njoftuan se sulmi kishte ardhur nga hakera serbë.

Në fakt, pretendimi se sulmi kibernetik ka ardhur nga Serbia është i pavërtetuar. Pavarësisht se mesazhet e shpërndara përputhen me narrativën e pushtetarëve serb, në fakt nuk ka ende asnjë verifikim për autorësinë e sulmit.

Faktoje u interesua pranë Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike lidhur me ngjarjen. Në përgjigjen e saj AKSK njoftoi se “aktualisht nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e autorëve të këtij sulmi kibernetik”.

Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm në platformat e inteligjencës kibernetike, nuk ka ende një atribuim zyrtar që lidhet me përfshirjen e ndonje shteti specifik, përfshi Serbinë.” – sqaroi AKSK për Faktoje.

Nisur nga ky informacion mund të dalim në përfundimin se pretendimi i ngritur nga mediat, të cilat njoftonin se sulmi kibernetik ndaj RTSH-së ishte kryer nga hackera serbë, është i paprovuar dhe keqinformues.