Eliza dhe shikimi i saj i (pa)dëmtuar

Për lexuesit e Portalbit sjellim një ditë nga jeta e një vajze e cila do të studiojë, të shkollohet edhe pse me shikim të dëmtuar. Falë mbështetjes së prindërve që regjistrojnë me zë gjithçka që Elizës i duhet ajo ia del të jetë më e mira. Shteti nuk u kujdes që të ofrojë shkollim në gjuhën amtare për njerëzit që kanë pengesa të tilla, ndërsa librat dëgjimorë në gjuhën shqipe çalojnë.

Në mbyllje të vitit e takova Elizën. Ishte nga ato njohjet dhuratë që rëndom të pakta i kemi në jetë. Asnjë takim ndërnjerëzor nuk është i rastësishëm. Eliza shikimin sipërfaqësor e kishte të dëmtuar, por atë thelbësorin e kishte shumë të qartë. Ajo i shmangte librat dëgjimorë, të paktë në gjuhën shqipe pasi nuk respektonin rregullat e leximit, intonacionin, pauzat, qetësinë. Me keqardhje thoshte se ua merr kohën prindërve që kishin dhe punët e veta, por që gjenin kohë të lexonin dhe regjistronin për të pjesët që i interesonin. Pastaj gjithë dita sillej rreth atyre regjistrimeve, ashtu si koha e tyre sillej rreth Elizës së veçantë që fliste me një diksion të pastër dhe në të ishin pikë- takuar bukuria dhe mençuria.

– Pse ke zgjedhur psikologjinë Elizë? – e pyeta

– Se të gjithë kanë nevojë për psikologë. Ishte përgjigjja e shpejt e Elizës që na shkuli gazit të gjithëve. Ajo ishte studentja më e mirë e psikologjisë dhe përkushtimi i saj i pakufishëm. Kishte rënë në dilemë nëse duhej të zgjidhte psikologjinë apo aktrimin, por aktrimi ngelet një ëndërr e prekur tashmë, pasi ka luajtur në skenë në një libër të shkruar për të.

“Mua më pëlqen realiteti pa zbukurime. Ndaj kam probleme shpesh me njerëzit që nuk u pëlqen realiteti ashtu siç është”.

– Eliza i thotë gjërat siç janë – ndërhyri babai. Ne shpesh e mësojmë që të thotë diçka të kundërt me atë që e mendon se njerëzit i hidhërohen.

– Por, unë si të them diçka që s’mendoj? E kam të vështirë ta bëj- shprehet pa fare hipokrizi Eliza.

Gjithnjë ka dëshiruat një shkollë shqipe për njerëzit me shikim të dëmtuar dhe në dramën që kishte luajtur në një tekst të bazuar në jetën e saj, të pranishmëve ua kishte mbyllur sytë pa kishin hyrë me shumë vështirësi në sallë dhe më pas në skenë i ka pyetur: hë, si u ndjetë?

I propozova që një ditë të shkojë në qeveri dhe t’ua mbyllte sytë politikanëve, mbase fillojnë e mendojnë më seriozisht për hallin saj e të tjerëve si ajo që nuk u sigurohet një e drejtë njerëzore: shkollimi.

***

Për të qenë i epërm duhet të shmangësh shikimin…

Eliza e urrente pyetjen: ‘sa e ke vështirë ?’ Sipas saj njerëzit janë të mbushur me energji të keqe, shohin vështirësitë para mundësive. Dhe më të drejtë. Bota ka njohur gjithë ato gjeni të verbër, ca prej tyre e kanë quajtur bekim humbjen e shikimit. Justisia duhej t’i mbyllte sytë për të qenë e paanshme, e drejtë, bindëse. “Thelbësorja është e padukshme për sytë thotë “Princi i vogël; i Exyperit. Vetëm me zemër shihet më qartë. Homeri “ho mḕ horṑn’’; – “ai që nuk shikon”, por këndon, ndërsa sheh me sytë e shpirtit, ishte shenjtërisht i lidhur me muzat. Xhon

Milltoni thoshte se e pa poezinë kur e humbi shikimin . Xhojsi i cili na fton “t’i mbyllim sytë që të shohim” ; mahnitja e tij me Homerin duket te Uliksi.

Demokriti është një rast tjetër i pashembullt, thonë se u verbua vet sepse nuk mund të duronte tundimin nga gratë. Dhe një herë një miku i tha: “Nuk jam në gjendje të dalloj të bardhën nga e zeza, por dalloj të vërtetën nga gënjeshtra, të ndershmen nga e pandershmja. Mund të jesh i lumtur edhe pa dalluar ngjyrat, por kurrë pa njohur jetën. Ndërsa, Borhesi ka folur shumë për verbërinë dhe thotë se njerëzit e përfytyrojnë të verbrin si të ngujuar në një terr të plotë, demanton këtë duke përmendur një varg të Shekspirit: Looking on darkness which the blind do see, “Duke vështruar errësirën që shohin të verbrit”. “Njëra prej ngjyrave, për të cilën të verbrit (së paku unë që po ju flas) ndiejnë  keqardhje se nuk e shohin më, është e zeza” – thotë Borhesi.

Janë pa fund shembujt e njerëzve që kanë parë botën në një mënyrë krejtësisht origjinale, ashtu siç Eliza e sheh e që besa ishte njeriu më pozitiv që kisha njohur në krejt vitin që lamë me një humor që nuk e kisha hasur më parë.