Eksploziv Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Oslo

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Oslo u trondit nga një shpërthim i fuqishëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, që shkaktoi dëme të vogla materiale, transmeton Euro News Albania.

Lajmin e konfirmoi policia norvegjeze, ndërkohë që ministri i Drejtësisë së vendit nordik deklaroi se mbi ngjarjen ka nisur një hetim.

Shpërthimi në kompleksin e ambasadës, në perëndim të Oslos, ndodhi rreth orës 1, me orën lokale, duke bërë që një tym i hollë të ngrihej tek hyrja e seksionit konsullor.

Policia deklaroi se është vënë në kërkim të një apo më shumë personave të dyshuar si përgatitës të episodit kriminal.

Ministrja e Drejtësisë, Astri As Hansen tha se kishte angazhuar burime të shumta në hetim. “Ky është një incident i papranueshëm, të cilin ne e kemi marrë shumë seriozisht”, tha Hansen për agjencinë norvegjeze të lajmeve NTB.

Zona përpara hyrjes së zyrës konsullore mbeti e dëmtuar nga shpërthimi, vijoi policia lokale, e cila shtoi se përreth nuk ishin gjetur lëndë të tjera të rrezikshme.

“Në vendin e ngjarjes janë kryer hetime me qen policie të stërvitur, dronë dhe helikopterë, për të kërkuar autorët e mundshëm”, thuhet në një komunikatë të policisë së Oslos.

Ndërkohë, stafi i ambasadës, i kontaktuar nga agjencia e lajmeve “Reuters” ka deklaruar se ia ka përcjellë të gjitha të dhënat Departamentit të Shtetit.

Sulmi vjen në një kohë kur lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit ka hyrë në ditën e nëntë dhe kur Republika Islamike është zotuar për hakmarrje.