EFCSN dënoi bastisjen e policisë në Istinomer.rs
Kontrolluesit e fakteve në Serbi po thonë të vërtetën para syve të qeverisë. Kjo ndërhyrje e qeverisë serbe nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të mbyllur gojën e shtypit të lirë. U bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë veprime të tilla, ka reaguar EFCSN ndaj bastisjes së policisë në zyrën e Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) në Beograd, në kuadër të së cilës funksionon platforma e kontrollit të fakteve Istinomer.rs, anëtare e EFCSN-së, transmeton Vërtetmatësi.
Rrjeti Evropian i Standardeve për Kontrollin e Fakteve (EFCSN) dënon ashpër bastisjen e policisë ndaj anëtarit të saj serb, CRTA, e cila operon platformën e kontrollit të fakteve Istinomer.rs. Ky incident paraqet një sulm të papranueshëm ndaj shoqërisë civile, lirisë së shprehjes dhe kontrollit të fakteve.
Mëngjesin e sotëm, Drejtoria e Policisë Kriminale të MPB-së serbe ka hyrë në ambientet e disa OJQ-ve të mëdha dhe botuesve serbë, mes të cilëve edhe CRTA-ja. Mediat dhe tabloidet proqeveritare e raportuan këtë lajm ende pa mbërritur policia në ambientet e CRTA-së. Bastisja u krye nën maskën e një hetimi të pabazë për korrupsionin në lidhje me përdorimin e fondeve që OJQ-të morën nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Këto pretendime janë qartazi të rreme dhe përbëjnë një formë frikësimi të një organizate të pavarur mediatike. Kontrolluesit e fakteve në Serbi po thonë të vërtetën para qeverisë. Kjo ndërhyrje e qeverisë serbe nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të mbyllur gojën e shtypit të lirë. U bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë veprime të tilla.
Si anëtar i EFCSN, Istinomer.rs u përmbahet standardeve më të larta të përgjegjshmërisë, transparencës dhe gazetarisë, siç përshkruhet në Kodin e Standardeve të EFCSN-së.
Shqetësimi i kontrolluesve të fakteve që punojnë për të mbrojtur lirinë e informacionit dhe vlerat demokratike në vendet e tyre është një prirje alarmante që po merr vrull. EFCSN shpreh shqetësim të thellë për këtë ndërhyrje dhe qëndron prapa Istinomer.rs.