Edhe një javë mundësi për nxënësit e Maqedonisë së Veriut që të aplikojnë në konkursin për Ditën Botërore të Kursimit

Nxënësit e shkollave të fillore dhe të mesme do të mund të aplikojnë deri më 20 tetor me punimet e tyre në Konkursin me rastin e Ditës Botërore të Kursimit – 31 Tetor, transmeton Portalb.mk.

Ky Konkurs organizohet nga Banka Popullore e Republikës e RMV-së dhe Ministria e Financave.

“Nxënësit e arsimit fillor mund të dërgojnë krijim letrar dhe/ose artistik për temën: “Kursej me mençuri – jetoj më mirë: Investoj në të ardhmen time” Për punimet më të mira të nxënësve të arsimit fillor do të ndahen në total dymbëdhjetë çmime”, thuhet në Konkurs.

Gjashtë çmime janë për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, gjashtë tjera për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, për poezi dhe vizatime. Më të mirët do të shpërblehen me 3 mijë denarë.

“Nxënësit e arsimit të mesëm mund të marrin pjesë në Konkurs me dërgimin e një krijimi letrar – ese për temën: “Kursimi – një hap drejt pavarësisë financiare” Ese-ja duhet të ketë një maksimum prej 1.500 fjalësh dhe të përmbajë pikëpamje personale të temës”, theksohet në Konkurs, duke theksuar që tre punimet më të mira shpërblehen me 6 mijë denarë.