Dy gra joshën një burrë në një motel në Shkup, ku e sulmuan dhe e grabitën me ndihmën e dy burrave të tjerë
Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Shkup ka nisur hetim ndaj dy grave dhe dy burrave të cilët, duke vepruar në grup dhe duke përdorur forcë, i kanë marrë një personi 200 mijë denarë. Të katërtit dyshohen për vepër penale – grabitje, transmeton Portalb.mk.
Në përshkrimin e rastit që ndodhi më 30 tetor të këtij viti, Prokuroria informon se i dëmtuari ka shkuar në një motel në Shkup me njërën nga të dyshuarat femra, pas së cilës ajo i ka sugjeruar që t’i telefonojë një vajze tjetër.
“Pasi ai është pajtuar, i dyshuari e ka telefonuar gruan tjetër dhe së bashku e kanë bindur të shkojë diku tjetër, përkatësisht në një ‘hotel më të mirë dhe më të lirë’. Duke dalë nga dhoma, në oborrin e errët të motelit, e kanë takuar dy burra që paraprakisht ishin dakorduar me gratë dhe së bashku e kanë sulmuar të dëmtuarin. E kanë goditur me grushte në kokë dhe trup derisa e kanë rrëzuar në tokë. I kanë marrë paratë, telefonin celular dhe letërnjoftimin nga xhepat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për katër të dyshuarit është propozuar masë paraburgimi, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së krimit.
Njëra nga të dyshuarat femra, pas kryerjes së veprës, është në arrati. Paraburgimi për të do të fillojë të zbatohet pasi ajo të gjendet dhe të privohet nga liria.