Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, Arsim Idrizi, përmes rrjeteve sociale njoftoi se nuk do të pranojnë të marrin pjesë në mbledhje ku gjuha shqipe përjashtohet. Por ky njoftim pastaj u fshi nga Idrizi, transmeton Portalb.mk.
“VLEN , si forcë qeverisëse, e bën të qartë: nuk do të pranojmë asnjë mbledhje ku gjuha shqipe përjashtohet dhe ku kjo arrogancë vazhdon të ushqehet nga ministri i Administratës, Minçev”, deklaroi Idrizi.
Ai njoftoi se në një takim ku nga 16 drejtues të inspektorateve, 10 janë shqiptarë dhe 6 janë maqedonas, u kërkua të folët vetëm gjuha maqedonase. Sipas tij, koha e përjashtimit ka mbaruar.
“Sot, në mbledhjen e thirrur për zgjedhjen e kryesuesit të inspektorëve, gjithçka nga thirrja deri te pikat e diskutimit u zhvillua vetëm në gjuhën maqedonase. Drejtorët shqiptarë refuzuan me vendosmëri të marrin pjesë, derisa çështja e dygjuhësisë të zgjidhet. Pa shqip, nuk ka mbledhje”, kishte shkruar Idrizi në njoftim në Facebook.
Por, Idrizi njoftimin në Facebook e fshiu.
Aty shprehej se me bindje të fortë deklaroi se këto mbledhje do të jenë të pavlefshme deri sa të zbatohet edhe gjuha shqipe, të garantohet përfaqësimi i barabartë, duke theksuar se dygjuhësia është detyrim ligjor dhe jo opsion.

Ndryshe, Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Inspektorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve më 17 shkurt kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm në Ministri të Drejtësisë për refuzimin e ministrit të Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov inspektimin e konsideron si presion politik, ndwrsa drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizi i hodhi poshtë pretendimet e ministrit Fillkov se inspektimi është bërë pa plotësimin e bazave ligjore.