“Ata që nuk kanë fjalë të veten për të thënë, mbeten jehonë e të tjerëve.”
Këtyre ditëve lexuesi shqiptar mori në duar një vepër të re: Në kërkim të thelbit (Logos-A). Një titull tipik i të thellit Ibrahim Kalın, ku vetëm lista e titujve të përmbajtjes së librit mjafton që ta bëjë për vete lexuesin, ta fusë në një klimë post-racionale, ku ka më tepër frymë e shpirt sesa lëndë e objektifikim. E mira, engjëlli, miku, bota si vel, 40-shja misterioze, ashku, lulja janë disa nga fjalët çelës të këtij teksti që gëlon me porosi që e shpien njeriun drejt substanciales, drejt vetes origjinale, drejt bërthamës së harruar apo të injoruar nga njeriu modern që ka dy premisa në jetën e vet: kënaqësinë dhe shpejtësinë që nuk e shpien atje ku ai synon të arrijë.
Ibrahim Kalın, në këtë vepër trajton problemin e humbjes së thelbit të njeriut bashkëkohor. Në kohën tonë ku teknologjia, ritmi i shpejtë, pirgjet e informacionit, konsumizmi dhe stimujt e pandërprerë janë shtuar, zëri i brendshëm i njeriut është zbehur, ndërsa paraqitja dhe imazhi i jashtëm janë vënë në plan të parë. Sipas Kalın-it, njeriu tashmë e përkufizon veten përmes ekraneve, emrave të profileve, avatarëve, algoritmeve dhe pasqyrimeve digjitale; ndërsa vetvetja e vërtetë qëndron pas të gjitha këtyre, e fshehur në thelb.
Libri, duke e vendosur në qendër pyetjen “Kush jam unë dhe pse jam këtu?”, e fton lexuesin në një udhëtim të brendshëm. Ky udhëtim është një përpjekje e përbashkët e mendjes dhe zemrës për të kujtuar esencën. Autori “mëkatin themelor” të kohës sonë e përshkruan si vijon: “…kemi harruar të mendojmë me zemër dhe kemi filluar të mendojmë me llogari. Gjithçka e llogarisim. Nuk e bëjmë më një gjë sepse është e mirë, e bukur dhe e drejtë në vetvete, por me mendimin se çfarë përfitimi do të kemi. Në këtë mënyrë, virtytin dhe të mirën i bëjmë mjete. E duam dikë jo pse është njeri, por sepse presim diçka prej tij. Nuk u qasemi krijesave si bashkudhëtarë e bashkëqenëse në këtë univers, por si mjete për përfitim. Me këtë mendësi utilitariste, gjithçka e kthejmë në mall me çmim.”
Mesazhi është se liria dhe prehja e vërtetë nuk gjenden te imazhet që vijnë nga bota e jashtme, por në njohjen e së vërtetës së brendshme dhe kthimin tek vetvetja. Nëse “thelbi” humbet, bota e njeriut ngushtohet; nëse thelbi kujtohet, horizonti i njeriut hapet sërish. Kujdesja vetëm për nevojat fizike dhe biologjike e lë njeriun në një gjendje të ulët, në një baltnajë të pafundme. “Sikur qoftë edhe një të dhjetën e ndjeshmërisë që tregojmë për shëndetin e trupit, ta tregonim për shëndetin, bukurinë dhe elegancën e mendjes e të zemrës, bota do të bëhej një vend shumë më i bukur për të jetuar.”
Sado që paragrafët e mësipërm duken si shumë abstrakto-filozofikë, autori si pjesë e akademisë dhe politikës, rrok edhe tema sociale, si p.sh. bashkëjetesa e epokës tonë që s’mund të ndërtohet vetëm sociologjikisht, në bazë të horizontales; pa shtratin metafizik dhe vertikal, njeriu bëhet tjetrizues, kështu që s’ndihmojnë as agjendat multikulturaliste as kurrfarë ideologjie pacifiste. Një ide për reflektim në rrafshin marrëdhënieve humane është edhe ajo se udha e mikut është edhe udhë e jona, se në histori mbeten vetëm të mirët kurse të këqinjve u shuhet ‘e kaluara’, se kryqëzata shekullare anti-fe në fakt është vetë-shkatërrim, kurse imponimi i rrëfimeve madhore dhe paketave konceptuale janë biletë drejt filmit të kaotikes.
Shkurt, Në kërkim të thelbit është një thirrje për lexuesin që të nisë një udhëtim introspektiv, duke u shkëputur nga “zhurma” e jashtme për të gjetur qetësinë dhe kuptimin e vërtetë brenda vetvetes dhe për të bërë jetë të mirë, të cilën e shijojnë vetëm njerëzit e mirë e jo të gjithë që jetojnë biologjikisht (Aristoteli).
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.