Donald Trump fajësoi Ukrainën për luftën me Rusinë: Zelensky mund të kishte arritur marrëveshje
Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Volodymyr Zelenskyn, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” nga komentet e presidentit ukrainas se ai ishte përjashtuar nga negociatat midis SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton Guardian.
Trump gjithashtu u duk se fajësoi Kievin për pushtimin rus, ndërsa tha se ishte më i sigurt se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte e mundur pas bisedimeve fillestare midis SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite.
“Jam shumë i zhgënjyer, kam dëgjuar se janë të mërzitur sepse nuk janë në tryezë”, tha Trump në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konference për shtyp në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida. Sipas presidentit amerikan, një negociator shumë më i dobët mund të kishte siguruar një marrëveshje vite më parë “pa humbur shumë territor”.
“Sot dëgjova, ah, mirë, nuk ishim të ftuar. Epo, tre vjet ishe atje… Nuk duhej të kishit filluar. Mund të kishit bërë marrëveshje”, tha Trump.
Ai shtoi presionin ndaj Zelenskyt për të mbajtur zgjedhje në Ukrainë, që është një nga kërkesat kryesore të Moskës.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se mund të takohet me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, para fundit të shkurtit. Uashingtoni duket se po e kthen plotësisht qëndrimin e tij ndaj Rusisë, një veprim që ka alarmuar liderët evropianë.
Paraprakisht, Zelensky kritikoi negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, nga të cilat Kievi u përjashtua, duke thënë se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës duhet të jenë të drejta dhe të përfshijnë vendet evropiane. Ai shtyu një udhëtim dypalësh në Arabinë Saudite ku po zhvilloheshin negociatat.