Do të mbahet koncert i Filharmonisë për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pjesëmarrës edhe Shkëlzen Baftiari
Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbajë koncertin e 17 shkurtit në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, transmeton Portalb.mk.
Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.
“Koncerti do të fillojë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), nga Maqedonia e Veriut, poema simfonike “Mizer-Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, bëhet e ditur në njoftimin e Filharmonisë.

Në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.
Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës.