Ditë e hapur e Armatës në Stadiumin Ushtarak në Shkup
Në Stadiumin ushtarak në Shkup sot është shënuar 4-vjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75-vjetori i themelimit të Aleancës. Vizitorët kanë pasur mundësi nga afër që të njihen me pajisjet dhe automjetet e Armatës, ndërkaq stërvitje treguese kishin Renxherët e Armatës, njofton Portalb.mk.
Janë paraqitur forcat speciale, batalioni i Policisë Ushtarake, Qendra Mjekësore-Ushtarake, VING Forcat Ajrore dhe qentë ushtarak.
Koloneli Vasil Mitevski nga Komanda për Operacione theksoi se e ka nderin që qytetarët e Shkupit të kenë mundësi të njihen me një pjesë të pajisjes ushtarake dhe porositi se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm nga aspekti i sigurisë, por edhe në lidhje me bashkëpunimin me aleatët.
“Për ne si Armatë, anëtarësimi në NATO paraqet një mundësi të madhe për bashkëpunim me të gjithë partnerët me qëllim të rritjes së shkathtësive tona, por edhe shkathtësive të cilat duhet t’i plotësojmë në Aleancën e NATO-s”, tha koloneli.
Deri më tani ditë të hapura të armatës janë organizuar në Strumicë, Shtip, Tetovë dhe Prilep. Sot, përveç Shkupit, ditë e hapur është mbajtur edhe në Ohër, ndërkaq nesër do të mbahet në Kërçovë.