Gjysma e popullatës së Maqedonisë së Veriut çdo ditë pi cigare dhe prodhime të duhanit

Pirja e duhanit në Maqedoninë e Veriut është në nivel shqetësues, gjegjësisht gjysma e popullatës çdo ditë konsumon cigare dhe prodhime të duhanit, tregojnë rezultatet e studimeve për aspektet e sjelljes dhe kulturës së përdorimit dhe heqjes dorë nga duhani, njofton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në prezantimin nacional për rezultatet e studimit dhe statusit me investime në duhan në vendin tonë, tha se studime të këtij lloji për herë të parë zbatohen në nivel nacional dhe shërbejnë për planifikimin e hapave të ardhshëm strategjik, por edhe për ngritjen e vetëdijes në drejtim të përforcimit të aktiviteteve nacionale për kontroll të përdorimit të duhanit dhe prodhimeve të duhanit.

Sipas Mexhitit, duke e pasur parasysh gjendjen faktike se përdorimi i duhanit është ndër faktorët kryesor për morbilitetin dhe mortalitetin nga sëmundjet joinfektuese, është e domosdoshme të planifikohen dhe ndërmerren masa për zvogëlimin e konsumimit të duhanit dhe prodhimeve të duhanit.

“Me partnerët tanë shqyrtojmë të krijojmë aktivitete specifike në drejtim të mbështetjes së zbatimit të Konventës Kornizë për Kontroll të Duhanit, në bazë të qëndrimeve të punëtorëve shëndetësor dhe të popullatës”, tha Mexhiti.

Në ngjarjen e sotme, të organizuar me rastin e 31 Majit – Ditën Botërore Pa Duhan, morën pjesë edhe Ane Johansen, përfaqësuese speciale e OBSH-së në RMV dhe Suzana AhmetiJanjiq, udhëheqëse e sektorit për prosperitet inkluziv UNDP.