Diplomë pa vlerë: Sistemi në RMV nuk e njeh arsimin e nxënësve nga shkollat e mesme speciale
Edhe pse përfundojnë arsimin e mesëm trevjeçar në Maqedoninë e Veriut, të rinjtë me aftësi të veçanta nga shkollat për arsim dhe rehabilitim, në sistemin e punësimit regjistrohen si persona pa arsim të përfunduar. Ky hendek administrativ i privon nga të drejtat, i largon nga tregu i punës dhe hap çështje serioze për diskriminim sistemik dhe dështim të institucioneve për të siguruar përfshirje reale, shkruan Lokalaktiv, transmeton Portalb.mk.
Gj.B. nga Dellçeva është një vajzë e re që e ka kryer arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme Shtetërore për Arsim dhe Rehabilitim “Iskra” në Shtip. Por, kur ajo ka aplikuar për një vend pune, sistemi burokratik nuk ia ka pranuar diplomën e marrë.
Ajo është një nga 60 deri në 80 nxënësit që çdo vit regjistrohen në shkollat e mesme shtetërore për arsim dhe rehabilitim. Pas një shkollimi tre vjeçar dhe trajnimi praktik këta të rinj marrin një certifikatë zyrtare, e cila dëshmon se e kanë kryer arsimin e mesëm, por në momentin kur përpiqen ta formalizojnë statusin e tyre me Agjencinë e Punësimit (APRMV) mundi i tyre devalvohet në nivel të arsimit të papërfunduar.
Me pak fjalë sistemi administrativ thotë se ata janë persona që kanë përfunduar arsim të mesëm dy vjeçar.
Ky defekt sistemik rrënjët i ka në koordinimin jo adekuat digjital dhe procedural mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Agjencisë së Punësimit. E përderisa sistemi arsimor i njeh ata si maturantë me tituj konkret, sistemi softuerik i APRMV-së arsimin e tyre trevjeçar e vlerëson si të pa kompletuar.
Rezultati është dëshpërues: këta individë evidentohen në kolonën “persona pa arsim të mesëm të përfunduar”, gjë që automatikisht i përjashton ata nga të gjitha masat kryesore shtetërore për mbështetjen e të rinjve gjatë punësimit.
Absurditet burokratik
Gj.B. nuk dëshiron promovim personal, por thjesht kërkon që t’i pranohet diçka që i takon ligjërisht që të mund t’i shfrytëzojë të njëjtat masa që vlejnë për të gjithë të tjerët që e kanë përfunduar shkollën e mesme.
Pas përfundimit të arsimit të mesëm trevjeçar ajo ka marrë një certifikatë për aftësim për punë si “ndihmëse konfekcionere”, e më pas është paraqitur në Qendrën e punësimit për të kërkuar punë. Atje është përballur me një absurditet të pakapërcyeshëm.
Kur nëpunësit e APRMV-së e kanë futur në sistem certifikatën e saj për arsimin e kryer, ajo ka marrë përgjigje se ishte një e papunë me dy vjet arsim të mesëm dhe për këtë arsye bën pjesë në grupin e personave me arsim të mesëm të pa përfunduar. Kjo do të thoshte se ajo nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë masën “Punë praktike”, pra të fillonte me një periudhë pune provë tremujore të paguar nga APRMV, as edhe për shtesë rinore prej 3.000 denarësh të pagës së saj deri në moshën 23 vjeçare.
“U regjistrova në shkollën “Iskra” sepse mendova se do ta mbaroja shkollën e mesme dhe do të merrja një kualifikim profesional. Tani nuk e di se çfarë përfitimi kam nëse shteti thotë se jam një person pa arsim të mesëm. Shpresoj vetëm që kjo padrejtësi të korrigjohet dhe të trajtohem njësoj si të gjithë të rinjtë që e kanë përfunduar shkollën e mesme”, tha Gj.B.
Padrejtësia ndaj Gj.B. është thelluar kur ajo pavarësisht barrierave sistemike ia ka dalë mbanë të gjejë një punë. Por, punësimi i saj ka zgjatur vetëm dhjetë ditë, pas çka punëdhënësi e ka pushuar nga puna dhe i ka dhënë një kompensim prej 6.000 denarësh. Këto të ardhura të vogla kanë aktivizuar një mekanizëm tjetër rigid në vend – Qendra për punë sociale në Dellçevë ka marrë vendim për ndërprerjen e masës Ndihmë e garantuar minimale për të gjithë familjen e saj me pesë anëtarë.
Ligji për Mbrojtjen Sociale, i cili është hartuar për t’i ndihmuar më të varfrit, në këtë rast ka vepruar si një masë ndëshkuese. Meqenëse Ndihma e garantuar minimale llogaritet në bazë të të ardhurave të të gjithë anëtarëve të familjes për tre muajt e fundit, angazhimi i shkurtër dhe i paqëndrueshëm i Gj.B. e ka lënë familjen e saj pa kurrfarë të ardhurash.
Sistemi social thjesht nuk e ka njohur cenueshmërinë dhe natyrën afatshkurtër të marrëdhënies së punës, gjë që krijon një precedent të rrezikshëm. Kështu, personat me aftësi të kufizuara kanë frikë të pranojnë punë për shkak të rrezikut të humbjes edhe të sigurisë minimale që ua ofron ndihma sociale.
Trajtim i (pa)barabartë
Informacionet nga institucionet shtetërore kompetente zbulojnë një mungesë koordinimi dhe kalimit të përgjegjësisë nga një sektor në tjetrin. Këtu lind një dilemë logjike – nëse certifikata për arsimin e përfunduar nuk njihet në institucionet shtetërore, atëherë cili është qëllimi i vetë ekzistencës dhe financimit të këtyre shkollave nga ana e shtetit.
“Tashmë për disa vite në fuqi është arsimi inkluziv. Qëllimi është që askush të mos lihet pas dore dhe tu ndihmohet të përfshihen në procesin mësimor dhe të kenë mundësi të përparojnë në jetë. Për këtë arsye u prezantuan edhe asistentët arsimorë, të cilët duhet t’i ndihmojnë nxënësit me aftësi të kufizuara të përshtaten në procesin arsimor. Nuk jam i sigurt se si funksionojnë në këtë moment shkollat e mesme shtetërore për rehabilitim, por është fakt se ato duhet të mundësojnë barazi për nxënësit dhe të jenë pjesë e inkluzivitetit. Nëse certifikata e tyre për përfundimin e arsimit të mesëm nuk njihet në institucione, cila do të ishte logjika që nxënësit të regjistrohen në ato shkolla”, vlerëson Vanço Novosellski, këshilltar për arsim në Komunën e Dellçevës, duke e theksuar mospërputhshmërinë sistemike.
Nga Qendra për punë sociale informojnë se po i zbatojnë kompetencat ligjore dhe përderisa zgjat procesi arsimor të miturve u lëshohet një udhëzim për kategorizim.
“Nëse një person do të regjistrohet në arsim të rregullt apo në shkolla të mesme speciale, ky është një vendim që e merr familja dhe ne nuk mund të ndërhyjmë këtu. Nuk është e drejtë nëse certifikatat e tyre të arsimit të mesëm nuk njihen dhe nëse ata nuk kanë të njëjtin trajtim në tregun e punës. Qëllimi i arsimit inkluziv është që t’i përgatisë ata më mirë për tregun e punës, ndërsa vetë ligji është miratuar në përputhje me parimin – Interesi më i mirë i fëmijës”, thotë punonjësi social Vllatko Mitev.
Edhe pse funksionon tashmë për 40 vjet Shkolla e Mesme Shtetërore për Arsim dhe Rehabilitim “Iskra” në Shtip po përballet me një rënie të numrit të nxënësve. Punonjësit janë të vetëdijshëm se pasiguria pas përfundimit të procesit arsimor ka një efekt demotivues si tek nxënësit ashtu edhe tek prindërit.
“Në të kaluarën ne kemi pasur edhe nga më shumë se 20 nxënës në vit, por me prezantimin e arsimit inkluziv numri i tyre është ulur ndjeshëm. Ne, si ekip profesional, para përfundimit të çdo viti shkollor i vizitojmë shkollat fillore dhe u shpjegojmë prindërve se çfarë shërbimesh dhe çfarë cilësie arsimi do të marrin fëmijët e tyre. Përveç se që mësojnë në një mjedis në të cilin do të realizohen më lehtë, në një atmosferë më komode, nxënësit që nuk janë nga Shtipi mund të akomodohen në konvikt falas. Përndryshe, të jemi të qartë, me përfundimin në shkollën tonë arsimi i këtyre nxënësve përfundon dhe regjistrohet si arsim i mesëm i përfunduar. Nëse ata nuk mund t’i përdorin të njëjtat masa aktive si personat e tjerë me arsim të mesëm, kjo nuk është në rregull”, thekson Sllagjana Petrovska, punonjëse sociale në SHMSH “Iskra”.
Diploma që nuk mund të futen në sistem
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) pretendojnë se problemi është vetëm “teknik” dhe se bëhet fjalë për keqkuptim dhe mungesë koordinimi, edhe pse realiteti në sportelet e APRMV-së e demanton këtë gjë.
Sipas Penka Mantova–Zdravkovska nga MASH certifikata e përfundimit të arsimit në shkollat shtetërore të rehabilitimit është ekuivalente me certifikatat e tjera. Ajo thirret në vendimin e botuar në “Gazetën Zyrtare” 3/25, i cili, sipas mendimit të saj, duhet të jetë i mjaftueshëm që Agjencia e Punësimit ta adaptojë sistemin e saj.
“Certifikata për përfundimin e një shkolle të mesme shtetërore për arsim dhe rehabilitim është ekuivalente me certifikatat e tjera për përfundimin e arsimit të mesëm. Problemi është teknik dhe mund të zgjidhet me një shkresë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës drejtuar Agjencisë së Punësimit. Nuk ka asnjë pengesë që këta persona të mund t’i shfrytëzojnë masat “Punë praktike” dhe “Shtesa rinore”. Kjo do të thotë se ka vetëm një interpretim të ndryshëm dhe lëshime në koordinim, por problem nuk ka “, tha Mantova–Zdravkovska.
Por, gjendja në terren është ndryshe. Daniella Trajanovska nga Qendra e punësimit në Dellçevë thotë se sistemi thjesht nuk e lejon regjistrimin e këtyre personave në evidencën për arsim të mesëm të përfunduar. Kështu vetëm sa konfirmohet fakti se zgjidhja teknike është larg zbatimit. Numri i personave me aftësi të kufizuara të regjistruar në Qendër është mjaft i lartë dhe në fund të vitit 2024 të papunë kanë qenë 44 prej tyre.
Inercia e tillë burokratike bie ndesh drejtpërdrejt me Ligjin për Arsimin e Mesëm, i cili në nenin 3 të tij proklamon ndalimin e diskriminimit bazuar në origjinën sociale dhe invaliditetin. Duke mos harmonizuar sistemet e tij të brendshme shteti po e diskriminon sistematikisht grupin më të cenueshëm të qytetarëve.
Mbrojtja sociale si pengesë për punësim
Analiza e Ligjit për Mbrojtjen Sociale zbulon se pse shumë familje kanë frikë nga përfshirja e fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara në tregun e punës. Ndihma e garantuar minimale është një burim kyç për ekzistencë për shumë familje të tilla. Megjithatë, sistemi është i vendosur në atë mënyrë që çdo e ardhur, sado e vogël ose e përkohshme, përllogaritet në të ardhurat e përgjithshme.
Ligji parasheh se e drejta për Ndihmën garantuar minimale nuk mund të realizohet nga një familje në të cilën një anëtar mund të fitojë për të jetuar. Rasti i Gj.B., e cila pas dhjetë ditësh pune e ka humbur ndihmën për të gjithë familjen flet për jofleksibilitetin e nenit, i cili nuk bën dallim midis punësimit të qëndrueshëm dhe angazhimit afatshkurtër. Krahas kësaj, nëse marrëdhënia e punës përfundon me vullnetin e punonjësit ose për shkak të shkeljes së detyrimeve, familja mund të ndëshkohet me përjashtim nga sistemi social për një periudhë prej 12 muajsh.
Kjo natyrë “ndëshkuese” e sistemit social është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përpjekjet për inkluzion. Në vend që t’i inkurajojë të rinjtë me aftësi të kufizuara ta provojnë veten në tregun e punës, sistemi i detyron ata të mbeten përfitues pasivë të ndihmës sociale, me frikën se një përpjekje e pasuksesshme për punësim mund ta çojë të gjithë familjen në prag të urisë.
Rritja e numrit të ankesave drejtuar Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) në vitin 2024, ku temë dominante janë të drejtat për marrëdhënie të punës, flet për nevojën për një zgjidhje ligjore të këtij problemi. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi e definon qartë aftësinë e kufizuara dhe arsimin si baza mbi të cilat ndalohet diskriminimi.
Rasti me nxënësit nga SHMS “Iskra” dhe shkolla të tjera të ngjashme tashmë është objekt ankesash në KPMD, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Sociale, Rinisë dhe Demografisë. Nëse konstatohet se shteti me mosveprimin dhe gabimin e tij softuerik e pamundëson qasjen në të drejtat, kjo do të jetë provë e qartë e diskriminimit sistemik që duhet të sanksionohet dhe korrigjohet.
Standarde ndërkombëtare dhe “model mjekësor” për aftësi të kufizuara
Raportet e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut tregojnë se shteti është ende skllav i “modelit mjekësor” për aftësi të kufizuara. Ky model i sheh këta persona si pacientë për të cilët duhet të kujdeset, në vend se si qytetarë me të drejta që duhet të aftësohen të jetojnë në mënyrë të pavarur.
“Përdorimi i definicioneve dhe kategorizimeve të ndryshme të aftësisë së kufizuara në legjislacion nuk është në përputhje me modelin për aftësi të kufizuara të bazuar në të drejtat e njeriut. Përveç kësaj nuk janë unifikuar definicionet për personat me aftësi të kufizuara që përdoren në dokumente të ndryshme, ndërsa personat me aftësi të kufizuara psikosociale nuk njihen fare, me çka përjashtohet një komunitet i tërë nga sistemi i përgjithshëm të përfitimeve sociale mbi bazë të aftësisë së kufizuara. Një pjesë e madhe e publikut ka një qëndrim negativ ndaj personave me aftësi të kufizuara, ndërsa këto qëndrime mbështeten nga një keqkuptim i përgjithshëm i aftësisë së kufizuara dhe, në përgjithësi, i personave me aftësi të kufizuara. Qeveria duhet ta vlerësojë efektivitetin dhe ndikimin e strategjive dhe fushatave të saj që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik”, thuhet në Аnalizën e gjendjes me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021.
Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të cilën vendi jonë e ka ratifikuar, kërkon nga autoritetet që të sigurojnë kushte për pjesëmarrje të plotë dhe efikase në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët.
Mosnjohja e arsimit të mesëm të këtyre të rinjve është një shkelje e drejtpërdrejtë e kësaj konvente. Duke i definuar si persona me arsim të papërfunduar sistemi i privon ata nga “dinjiteti i punës” dhe i shtyn drejt margjinave të shoqërisë.
Sistemi shtetëror i Maqedonisë është në një udhëkryq mes angazhimit deklarativ për inkluzion dhe realitetit të ashpër administrativ që i ndëshkon fëmijët me aftësi të kufizuara për punën e tyre arsimore. Nëse shteti nuk arrin ta mbyllë hendekun mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë së Punësimit të RMV-së, jo vetëm që po humbet një fuqi punëtore potenciale, por edhe me vetëdije prodhon breza qytetarësh të përjashtuar socialisht.
Shembulli i Gj.B. nga Dellçeva nuk është një gabim teknik, por një test për integritetin etik dhe ligjor të të gjithë sistemit.
Çdo vit e ardhmja e rreth 80 të rinjve varet nga ajo nëse dikush në ministritë përkatëse do të ketë vullnetin politik ta shtypë butonin e duhur dhe të pranojë se tre vitet e shkollimit të tyre nuk janë thjesht “kohë e humbur”, por një bazë legjitime dhe e vlefshme për jetën e tyre profesionale.