Dijana Toska: Listat e hapura do nxisnin konkurrencë më të drejtë, mund ta rrisin numrin e grave në pozita të rëndësishme

Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Dijana Toskën, deputete e Frontit Evropian.

Intervistoi: Albina Ramadani

Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?

Dijana Toska: Përfaqësimi i grave në politikë ka shënuar përparim të ndjeshëm në dekadat e fundit. Megjithatë, mungesa e tyre në postet vendimmarrëse, sidomos për gratë shqiptare, reflekton praninë e shumë faktorëve të cilët janë mjaftë komplekse. Kur them faktorë kompleks mendoj në një ndër arsyet kryesore është kultura patriarkale e cila është rrënjosur thellë në shoqëri. Gratë shpesh nuk merren seriozisht si udhëheqëse dhe përballen me paragjykime të cilat ua kufizojnë mundësitë për tu avancuar në pozita të larta. Për më tepër, gratë kryesisht kanë më pak rrjete mbështetëse brenda politikës, duke i penguar ato të pozicionohen dhe pamundësia të fitojnë përkrahjen e nevojshme për të arritur poste të larta.

Portalb: Së fundi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?

Dijana Toska: Edhe pse nuk mund të thuhet krejtësisht se nuk kemi pasur një grua në një nga pozicionet më të larta të hierarkisë qeveritare në vendin tonë, këtu mendoj për zv/kryeministren e mëparshme për eurointegrime, prapëseprapë mungesa e ministreve shqiptare gra në qeverinë e re është një tregues i qartë i mungesës së diversitetit dhe barazisë gjinore në politikën tonë. Paramendoni në përbërjen e tashme të qeverisë nga njëzet e katër ministra kemi vetëm tre gra ministre edhe atë asnjë shqiptare. Ky fenomen nuk është vetëm çështje e mungesës së individëve të kualifikuar, por reflekton një strukturë të tërë sistemike që mban gratë larg nga pozitat kyçe të pushtetit. Partitë politike shpesh i shohin gratë si më pak të afta për të mbajtur poste të larta por nga ana tjetër janë të përshtatshme për role mbështetëse. Kjo situatë përforcohet nga mungesa e politikave të qëndrueshme për promovimin e grave dhe mbështetjen e tyre në politikë. Nëse nuk ndërmerren hapa konkrete për të inkurajuar dhe mbështetur gratë, do të vazhdojmë të shohim mungesën e tyre në pozitat ministrore por edhe ato pozita të tjera vendimmarrëse.

Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?

Dijana Toska: Heshtja e grave në ndarjen e posteve vendimmarrëse mund të lidhet me disa faktorë, përfshirë frikën nga stigmatizimi dhe mungesën e mbështetjes. Gratë shpesh ndjehen të injoruara kur tentojnë të kërkojnë pozita të larta dhe kjo i dekurajon ato të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Një tjetër faktor është mungesa e modelimit të roleve. Nëse gratë nuk shohin të tjera gra në pozita të larta, është më e vështirë për to të imagjinojnë veten në ato role dhe të luftojnë për to. Edukimi dhe vetëbesimi janë gjithashtu të rëndësishme.

Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?

Dijana Toska: Listat e hapura mund të jenë një mekanizëm i rëndësishëm për të rritur përfaqësimin e grave në Kuvend. Ky sistem lejon votuesit të zgjedhin individë specifikë brenda një liste partie, duke rritur mundësinë që gratë të zgjidhen në bazë të meritës dhe mbështetjes popullore. Kjo do të thotë se me listat e hapura, gratë që janë aktive dhe të njohura në komunitetet e tyre mund të kenë një shans më të madh për të fituar mbështetje direkte nga votuesit, pa qenë të varura plotësisht nga pozicioni që u është caktuar nga partitë e tyre, pra nuk do të ishte e rëndësishme se në cilën numër rendor është vendosur një grua kandidate, nuk do kishte nevojë që të ju caktohet vendi jo e treta në listë, e gjashta apo e nënta. Kjo do të nxiste një konkurrencë më të drejtë dhe mund të rris numrin e grave në pozita të rëndësishme, duke krijuar modele të reja dhe inkurajuar më shumë gra të angazhohen në politikë.

Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

Dijana Toska: Zgjidhja për të bërë Maqedoninë e Veriut një mjedis më të mirë për gratë në politikë qëndron në një qasje të shumëfishtë dhe të integruar. Kjo përfshin nxitjen e politikave që promovojnë barazinë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes, organizim të programeve edukative dhe trajnimeve për gratë që synojnë të hyjnë në politikë, duke përfshirë aftësi të lidershipit, negocimit dhe menaxhimit. Organizatat ndërkombëtare por edhe OJQ-të të ndryshme organizojnë këso lloje të trajnimeve po mendoj se janë të pamjaftueshme dhe duhet më tepër. Pastaj ndërmarrja e fushatave sensibilizuese do të ishin dobiprurëse për të ndryshuar perceptimet dhe qëndrimet ndaj rolit të grave në politikë dhe shoqëri.

Portalb: Cilat janë sfidat më të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Dijana Toska: Strukturat e partive politike në Maqedoninë e Veriut duhet më tepër të favorizojnë promovimin e grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. Proceset e brendshme të partive, që përfshijnë vendimmarrje, përzgjedhje të kandidatëve dhe distribuimin e resurseve, nuk duhet të jenë të dominuara nga burrat. Një tjetër sfidë e madhe për gratë politikane është dhuna sidomos ajo verbale e cila plasohet nëpër rrjetet sociale nga individë të ndryshëm të partive oponentë. Gratë shpesh janë objekt i sulmeve verbale, ngacmimeve dhe kërcënimeve që kanë për qëllim t’i dekurajojnë dhe t’i trembin nga pjesëmarrja aktive në politikë. Këto praktika jo vetëm që dëmtojnë individët, por krijojnë edhe një ambient të përgjithshëm armiqësor për gratë në politikë. Për të evituar këto sfida është i nevojshëm një angazhim i përbashkët nga shoqëria civile, partitë politike si dhe vetë gratë për të krijuar një mjedis më të drejtë dhe më mbështetës për gratë në politikë. Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe të qëndrueshme mund të arrihet barazia gjinore dhe përfaqësimi i plotë i grave në botën e politikës.

Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Dijana Toska: Mesazhi im për gratë dhe vajzat e reja që duan të merren me politikë është të besojnë në vetvete dhe në aftësitë e tyre. Zonja, vajza, ju keni fuqinë dhe kapacitetin për të sjellë ndryshime pozitive prandaj mos lejoni që dyshimet e të tjerëve t’ju pengojnë. Mos kini frikë të kërkoni mbështetje. Ndërtoni rrjete me profesionistë që ndajnë të njëjtat vlera dhe qëllime. Kërkoni mentorë që mund t’ju udhëzojnë dhe t’ju mbështesin në rrugën tuaj. Investoni në edukimin dhe zhvillimin tuaj personal. Edukimi është një armë e fuqishme që mund t’ju ndihmojë të tejkaloni pengesat në jetë. Angazhohuni në aktivitete humanitare, bashkohuni me organizata që mbështesin barazinë gjinore dhe merrni iniciativën për të ndjekur projekte që janë të rëndësishme për ju. Sa më shumë të jeni të angazhuara, aq më shumë mundësi do të keni për të bërë një ndryshim. Dhe më e rëndësishmja është të mbështesni dhe inkurajoni gratë dhe vajzat tjera. Kur gratë dhe vajzat bashkohen dhe punojnë së bashku, ato mund të bëjnë ndryshime të jashtëzakonshme.

Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë intervistat edhe me deputetet tjera shqiptare në Kuvendin e RMV-së.