Trembëdhjetë eurodeputetë në Komitetin e Përbashkët të BE-RMV
Mbledhja konstituive e Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut (KPP) është caktuar për të enjten, më 3 tetor, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
Katër eurodeputetë bullgarë do të jenë pjesë e Delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Siç njoftoi Parlamenti Evropian, trembëdhjetë nga 48 delegacionet ndërparlamentare i mbajtën takimet e tyre konstituive të hënën në mbrëmje.
Përfaqësues bullgarë në delegacionin BE-Maqedonia e Veriut janë Andrej Kovaçev (GERB/EPP), Kristijan Vigenin (Partia Socialiste Bullgare/S&D), Ivajllo Vallçev (Ka një popull të tillë/EPP) dhe Hristo Petrov (Vazhdo ndryshimin – Bullgaria demokratike/Rinovo Evropën).
Delegacioni përbëhet nga gjithsej 13 eurodeputetë nga grupet parlamentare të Partisë Popullore Evropiane, Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Patriotëve për Evropën, Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, Rinovo Evropën, Të gjelbërve/Aleancës së Lirë Evropiane, të Majtës në Parlamentin Evropian dhe një të pavarur.
Mbledhja konstituive e Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut (KPP) është caktuar për të enjten, më 3 tetor. Delegacionet parlamentare pritet të zgjedhin kryesinë e tyre deri më 8 tetor.
Kryetari dhe nënkryetari i parë i një delegacioni nuk do të jenë të së njëjtës gjini. Baraspesha gjinore do të vlejë edhe për anëtarët e tjerë të kryesisë së delegacionit. Nuk lejohet që të gjithë anëtarët e kryesisë së delegacionit të vijnë nga i njëjti shtet anëtar.
Komiteti i Përbashkët Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE është themeluar në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ai përfaqëson një forum ku anëtarët e Kuvendit dhe Parlamentit Evropian shkëmbejnë përvoja, opinione dhe qëndrime për të forcuar partneritetin e ndërsjellë. Komiteti mblidhet dy herë në vit.
Seancat e Komisionit të Përbashkët Parlamentar përfundojnë me miratimin e rekomandimeve përfundimtare, dokument ky që përmban qëndrimet e përbashkëta të dy parlamenteve për disa çështje të caktuara aktuale të procesit të eurointegrimeve. Ato i drejtohen Parlamentit Evropian, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Seancat e Komitetit në vitet e kaluara ishin shpesh arenë politike për përfaqësuesit bullgarë dhe maqedonas, të cilët debatonin për mosmarrëveshjet aktuale mes dy vendeve, për ndryshimet kushtetuese dhe për bllokimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Më të ashpër në kritikat e tyre ishin eurodeputetët bullgarë Aleksandar Jordanov dhe Aleksandar Xhambaski.