Presidenciale 2024: (As)pak zotime për barazinë gjinore

Edhe pak ditë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do tu drejtohen kutive të votimit për të votuar presidentin e shtetit në rrethin e parë ku garojnë shtatë kandidatë. Derisa kanë mbetur edhe pak ditë fushate, Portalb.mk analizoi programet zgjedhore të katër kandidatëve të koalicioneve se çfarë premtojnë në drejtim të barazisë gjinore.

Edhe pse thirren nën sloganin ‘Evropë’, dy kandidatët për president shqiptar, Arben Taravari nga koalicioni i partive opozitare ‘VLEN’ dhe Bujar Osmani nga kandidati i partive të pushtetit ‘Fronti Evropian’, në programet e tyre nuk figuron barazia gjinore dhe se për çfarë do angazhohen këtë drejtim.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së e cila udhëheq koalicionin “Maqedonia jote”, Gordana Siljanovska Davkova në programin e saj zgjedhor barazinë gjinore e përmend në dy pika.

Siljanovska në programin e saj thekson se në përbërjen e kabinetit do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes, respektimi i dimensionit gjinor.

Barazia gjinore nga Siljanovska përmendet edhe për në shërbimin diplomatik.

“Unë do të avokoj për përfaqësim të drejtë në të gjitha bazat, etnike, gjinore, fetare dhe natyrisht në raport me personat me nevoja të veçanta”, thuhet në program.

Nga ana tjetër, presidenti aktual Stevo Pendarovski që është kandidati nga LSDM-ja që udhëheq koalicionin “Ardhmëri Evropiane“, në programin e tij thotë se në mandatin e dytë do të vazhdojë të mbështes punën e shoqatave formale dhe joformale të njerëzve me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm.

“Mbështetja ime do të jetë publike, si më parë, por edhe konkrete. Vëmendje të veçantë do t’i kushtoj parandalimit të diskriminimit ndaj këtyre njerëzve dhe propagandës negative ndaj tyre dhe mënyrës së tyre të jetesës. Gjithkush ka të drejtë të ketë të mbrojtur dinjitetin e tij, në jetën personale dhe familjare dhe në mbrojtjen e privatësisë. Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur punën e institucioneve, detyra kryesore e të cilave është parandalimi dhe lufta kundër diskriminimit”, thuhet në program.

Në drejtim të përpjekjeve për barazi gjinore më të madhe, Maqedonia e Veriut vazhdimisht merr kritika nga raportet ndërkombëtare.

Kujtojmë që rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 24 prill, ndërsa rrethi i dytë me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.