Dhjetë vjet art që bashkon, u hap ekspozita jubilare e Internacional Art Simpozium Struga

Mbrëmë, në ambientet e Galerisë së Qytetit-Çifte Hamam në Shkup, u hap ekspozita jubilare e organizuar nga ekipi i Internacional Art Simpozium Struga 2015–2025. Kjo ngjarje shënoi një dekadë krijimtarie dhe bashkëpunimi artistik, duke dëshmuar se vendi ynë jo vetëm që ka artistë të vërtetë dhe të talentuar, por edhe një komunitet artdashësish që e mbështesin me përkushtim zhvillimin e artit dhe kulturës, shkruan Portalb.mk.

Burhan Ahmeti organizator i simpoziumit për Portalb.mk tha se vizioni kryesor i këtij simpoziumi është që përmes artit ta bashkojnë botën.

“Është një privilegj i veçantë të mirëpres ekspozitën e edicionit të 10-të, ku morrën pjesë 100 artistë nga 42 shtete të botës. Ky simpozium ka qenë gjatë viteve një platformë e fuqishme për dialog kulturor dhe shkëmbim artistik, duke ofruar mundësi për artistët figurativ të prezantojnë vizionet, teknikat dhe identitetet e tyre të pasura krijuese. Gjatë dekadës së tij, simpoziumi ka tërhequr mbi 200 artistë pjesëmarrës nga e gjithë bota, duke krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi dhe frymëzimi. Secili artist ka sjellë në këtë ngjarje një pjesë të botës së tij, duke pasuruar jo vetëm ekspozitën, por edhe përvojën e publikut dhe të komunitetit artistik të Strugës”, tha Ahmeti.

Foto nga ekspozita jubilare e Internacional Art Simpozium Struga. Foto: Burhan Ahmeti
Foto nga ekspozita jubilare e Internacional Art Simpozium Struga. Foto: Burhan Ahmeti

Ahmeti shtoi se ky simpozium është dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar kultura.

“Pas përmbylljes së kësaj ekspozite në të ardhmen synojmë të reduktojmë numrin e artistëve pjesëmarrës, duke u fokusuar në rritjen e cilësisë si në aspektin organizativ ashtu edhe në përzgjedhjen e artistëve. Ky drejtim i ri ka për qëllim forcimin e nivelit profesional dhe ngritjen e standardeve të përgjithshme të simpoziumit. Falenderoj secilin artist, bashkëpunëtor dhe mbështetës për kontributin dhe përkushtimin që e bënë Simpoziumin Ndërkombëtar të Artit në Strugë një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për vendin por edhe më gjerë. Roli i këtij simpoziumi në hartën kulturore të vendit është thelbësor, pasi ai shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin artistik ndërkombëtar, promovimin e dialogut kulturor dhe ngritjen e standardeve profesionale në fushën e arteve pamore. Përmes pjesëmarrjes së artistëve nga vende të ndryshme të botës, simpoziumi e pasuron skenën kulturore vendore, e forcon identitetin artistik të komunitetit dhe e pozicionon vendin tonë si një pikë referimi në zhvillimet bashkëkohore të artit”, tha Ahmeti.

Foto nga ekspozita jubilare e Internacional Art Simpozium Struga. Foto: Burhan Ahmeti
Foto nga ekspozita jubilare e Internacional Art Simpozium Struga. Foto: Burhan Ahmeti