Derisa po i heton për ndërhyrje të paarsyeshme kirurgjikale, Ministria e Shëndetësisë do të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me spitalet më të mëdha private në RMV

Spitalet private janë nën thjerrën e komisioneve të Ministrisë së Shëndetësisë që prej disa javësh. E ndërkohë, sot Ministria njoftoi se me po të njëjtët spitale do të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi, që parasheh angazhimin e specialistëve privatë në institucionet publike kur ka mungesë stafi. Memorandumi e detyron Ministrinë të identifikojë nevojat dhe të koordinojë bashkëpunimin, ndërsa spitalet private të ofrojnë kuadër të kualifikuar sipas standardeve. Lind pyetja nëse ky memorandum në këtë moment mund të ndikojë që të dobësohet kontrolli objektiv mbi këto institucione, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi tre institucionet më të mëdha private shëndetësore në vend – “Remedika”, “Acibadem Sistina” dhe “Zhan Mitrev” – me qëllim nënshkrimin e një Memorandumi të përbashkët për bashkëpunim. Ky memorandum vendos një kornizë bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve private shëndetësore, që do të mundësojë angazhimin e kuadrit shëndetësor – specialistë nga sektori privat – në institucionet publike shëndetësore, në raste të rritjes së nevojave, mungesës së stafit apo kërkesave të tjera prioritare shëndetësore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri Azir Aliu tha se qëllimi është që potenciali i plotë i sistemit shëndetësor të vihet në dispozicion të pacientëve, dhe vendosjes së burimeve të nevojshme në interes të qytetarëve.

Memorandumi parasheh që Ministria të identifikojë në mënyrë të vazhdueshme institucionet publike që kanë nevojë për staf shtesë, të sigurojë mbështetje administrative dhe ligjore, si dhe të koordinojë bashkëpunimin. Nga ana tjetër, institucionet private shëndetësore obligohen të ofrojnë kuadër shëndetësor të kualifikuar, i cili do të angazhohet nën kushte të përcaktuara qartë dhe në përputhje me standardet etike dhe profesionale.

Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.