Deri më 30 shtator do të jetë i hapur “Teatri shqiptar në Maqedoni”

Edicioni i 23-të i festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni” po mbahet në qytetin e Dibrës, qytet që do të pret aktorë nga vende të ndryshme shqiptare, ku prej 25 deri 30 shtator janë planifikuar shfaqje teatrale, transmeton Portalb.mk.

“Festivali, i cili mbahet deri më 30 shtator dhe realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Dibrës, është i fundit nga më së shumti aktivitete në kuadër të manifestimit Vera kulturore Dibër 2024”, deklaruan nga Ministria e Kulturës.

Ky festival filloi me shfaqjen “Çifti i hapur”, me regji të Sulejman Rushitit. Në këtë shfaqje luajtën aktorët nga Gostivari dhe Durrësi.

Në ditët në vijim para publikut dibran do të prezantohen shtëpitë teatrore nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Durrësi, Podujeva dhe Presheva. Në natën e fundit të festivalit, nga teatri i Preshevës do të shfaqet shfaqja “Grafiti” e Mehmet Krajës, pas së cilës do të ndahen çmimet për shfaqjen më të mirë, regjisor, aktor dhe aktore”, raportuan nga Ministria.

Në programin e festivalit, për sot u planifikua shfaqja e Teatrit të Tetovës, “Dredhit’ e Patikut” me regji të Kushtrim Bekteshit. Nesër pritet nga Teatri i Shkupit realizimi i shfaqjes “Lezetet e çiftit bashkëshortor” me regji të Kaltrina Tefikut, më 28 shtator Teatri Popullor me shfaqjen “Gënjeshta” me regji të Besfort Idrizit.

Në ditën e parafundit planifikohet realizim i shfaqjes nga teatri i Podujevës ndërsa më 30 shtator do të luajnë aktorët e teatrit të Preshevës.