Deri më 1 shtator mund të aplikohet për bursën “Boris Trajkovski”

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut deri më 1 shtator do të mund të aplikojnë në Konkursin për shfrytëzimin e bursës “Boris Trajkovski”, bursë e cila vlen për studimet e ciklit të dytë – master në vitin akademik 2023/24, transmeton Portalb.mk.

“Tarifa për regjistrimin e 20 studentëve për studime dyvjeçare  me korrespondencë të  ciklit të II ( dytë) në kuadër të programit MBA Pan-Evropian Ekzekutiv me diplomë të dyfishtë të Universitetit Jork dhe Universitetit të Strasburgut, e cila realizohet në Selanik, Greqi, në kuadër të bursave “Boris Trajkovski” edhe  atë për  drejtimet në vijim: Menaxhment i përgjithshëm; marketing; financa; Menaxhment në logjistikë; Menaxhment shëndetësor dhe Menaxhiment i burimeve njerëzore”, njoftojnë nga Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut.

Ky konkurs organizohet nga Kabineti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së RMV-së dhe Kolegji Siti, Kampusi Evropian i Universitetit Jork.

Pesë kandidatet më të mirë do të kenë mbulesë 100 % të shpenzimeve, ashtu që 7 445 euro për studentë mbulohen nga Universiteti, ndërsa 7 445 euro tjera nga Qeveria; ndërsa 15 kandidatët tjerë më të mirë do të duhet 50 % e shpenzimeve vetë t’i mbulojnë.

“Bursat mbulojnë vetëm tarifat e shkollimit. Mjetet e mbetura (shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe shpenzimet e tjera të jetesës) janë në barë të kandidatit”, raportoi Ministria, duke theksuar që të dokumentet për aplikim duhet të dorëzohen në Arkivin e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë në Shkup.