Demokratët publikuan foto të reja nga prona e Epstin: Në to shfaqen Trump, Klintoni, princi Andrew dhe Gates
Demokratët amerikanë kanë publikuar një seri fotografish të reja nga prona e Jeffrey Epstein, të cilat zbulojnë detaje nga shtëpia e pedofilit të dënuar dhe lidhjet e tij me persona të pasur dhe të fuqishëm. Mes figurave me profil të lartë që shfaqen në fotografi janë presidenti amerikan Donald Trump, princi Andrew dhe ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon. Fotot, shumë prej të cilave kanë qenë edhe më parë të njohura për publikun, nuk nënkuptojnë sjellje të paligjshme, transmeton Portalb.mk.
Gati 100 fotografitë e publikuara të premten nga anëtarët e Komitetit për Mbikëqyrje të Dhomës së Përfaqësuesve janë pjesë e mbi 95 mijë imazheve të siguruara përmes një urdhri gjykate, thanë demokratët. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë po i afrohet afatit përfundimtar javën e ardhshme për publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me Epstein.
Trump shfaqet në tre nga fotografitë e publikuara. Në njërën, ai qëndron pranë një gruaje, fytyra e së cilës është e turbulluar. Një tjetër e tregon Trumpin pranë Epstein-it duke biseduar me modelen Ingrid Seynhaeve në një festë të “Victoria’s Secret” në vitin 1997 në Nju Jork – një fotografi që ka qenë më herët e qasshme për publikun. Fotografia e tretë e paraqet Trumpin duke buzëqeshur me disa gra, fytyrat e të cilave gjithashtu janë të turbulluara.
Një fotografi shtesë paraqet një figurë të ilustruar të presidentit mbi paketime të kuqe pranë një tabele ku shkruhet: “Trump condom”. Shtëpia e Bardhë e cilësoi publikimin si një “mashtrim demokrat” kundër Trumpit, i cili sipas saj është “hedhur poshtë disa herë”.
Dosjet e publikuara të premten përfshijnë edhe fotografi private të Epstein-it, mes tyre një në vaskë dhe një tjetër ku duket se ka lodra seksuale. Ato e paraqesin atë edhe me disa persona të tjerë të njohur, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton dhe miliarderin e teknologjisë Bill Gates.
Një fotografi me Clintonin e paraqet atë duke qëndruar pranë Epstein-it dhe Ghislaine Maxwell, e cila u dënua në vitin 2021 për rolin e saj në lehtësimin e abuzimeve të financuesit. Fotografia duket se është e nënshkruar nga Clintoni. Ai më herët ka mohuar çdo lidhje me krimet e Epstein-it.
Mes fotografive është edhe një pjesë e prerë e një imazhi të realizuar fillimisht në vitin 2018, ku shihet mbreti Charles duke biseduar me themeluesin e Microsoft-it, Bill Gates, në një samit në Londër. Fotografia në koleksionin e Epstein-it ishte prerë për të shfaqur vetëm princin Andrew dhe Gates.
Ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon, shfaqet gjithashtu në disa fotografi. Në njërën ai shihet duke biseduar me Epstein-in pranë një tavoline pune, në një tjetër qëndron pranë tij përballë një pasqyre, ndërsa një fotografi e tretë e tregon duke biseduar me regjisorin Woody Allen.
Në fotografi shfaqen edhe figura të tjera të njohura si ekonomisti amerikan Larry Summers, avokati Alan Dershowitz dhe sipërmarrësi Richard Branson, megjithëse jo të gjitha imazhet i paraqesin ata në shoqëri të Epstein-it.
Nuk është dhënë kontekst shtesë, ndaj nuk është e qartë se kur dhe ku janë realizuar shumë nga fotografitë, përfshirë ato nga prona e Epstein-it në Ishujt e Virgjër, të cilat tregojnë disa dhoma – mes tyre edhe një me karrige dentare, e rrethuar me skulptura të burrave me mustaqe në mure.