‘DEMOKRACIA E KAFJALLIT’

Demokracia është një sistem politik i qeverisjes së popullit, i lirisë, i pavarësisë ideore dhe veprimore gjithnjë brenda kornizave apo rregullave të lojës. Është një mënyrë qeverisjeje në të cilën pushteti suprem i është dhënë popullit dhe ushtrohet prej tyre drejtpërdrejt ose tërthorazi nëpërmjet një sistemi përfaqësimi që zakonisht përfshin zgjedhje të lira të mbajtura periodikisht. Sipas Këshillit të Europës, ideja e demokracisë derivohet nga fuqia e saj morale e bazuar në dy parime: 1. autonomia individuale; askujt nuk mund t’i imponohen rregulla të shpikura nga tjetri, njerëzit duhet të kenë mundësinë t’i kontrollojnë jetët e tyre, dhe 2. ideja se çdokush ka mundësinë për të ndikuar te vendimet që afektuojnë popullin dhe shoqërinë. Pra, barazia e të gjithëve (një person një votë) dhe e drejta e çdo individi për autonomi personale.

Si qëndron puna jonë, e shqiptarëve, me demokracinë? A është në epiqendër qytetari, individi dhe vullneti i lirë apo ende jemi në fazën e shoqërisë së grigjës, turmës, kopesë? Nëse bëjmë një analizë politologjike të mënyrës së si votohet ndër ne, shqiptarisht, në veçanti në zonat rurale dhe periferike, nëpër fshatra, por jo veç atje, konstatojmë se ende s’jemi bërë tok me demokracinë e mirëfilltë, se jetojmë me legjendën e të parit të familjes, pater familias, të të parit të fisit apo tribusë. Zbërthyer pak më tej do të thotë se: ende për votën e “çdo fryme” (lexo: qytetari) të familjes së ngushtë apo të gjerë vendos autoriteti, më plaku, më i këndueshmi/më i shkollari, plaku i katundit, në disa vende edhe kleri, “fjala e të cilit nuk guxon të kthehet apo refuzohet”, votohet për hatër të babës, axhës, dajës etj.( Madje votohet edhe për hatër edhe nga shtrëngimi i shokut, me shtyrje, në momentin e fundit: “Të lutem dhe këtë herë, për mua, po më respektove dil!”) Prishja e kohezionit primitiv, pra e njëmendësisë së çimentuar e bën me “njollë”, të përjashtuar të guximshmin, personon që di dhe rezonon, që mendon me kokën e vet, që s’i nënshtrohet monizmit apo monolitizmit familjar-fisnor-klanor. Pra tek ne vihet shenjë e vullnetit të njërit me vullnetin e shumë njerëzve, mund të jenë 5 të moshërritur me të drejtë vote, po mund të jenë edhe 120 veta të mëhallës, katundit e më gjerë. Dhe si rrjedhim dihet se kjo familje, kjo lagje është me këtë, tjetra me atë, “…ajt” janë me të kuqtë, “…llarët”  me të kaltërtit, këta në këtë anë të rrugës “me të djathtit”, ata të asaj ane “me të majtit”, këta me pozitën, ata me opozitën. Kjo duket edhe nga fenomeni i listave, shifrave apo kalkulimeve paraprake që i kanë kryemilitantët e rrethit, që në detaj “dinë se kush me kë është”, “sa i vota i kanë këtu e sa atje”, që ende si në lojën e letrave vizatojnë vija vertikale për çdo njeri që hyn në klasë për të votuar dhe ia raportojnë “gurusë politik”. Te ne analizat akoma bëhen në kafene dhe tema më e pëlqyer, ndoshta edhe para futbollit, është politika; këto analiza janë thashetheme dhe matje me mend, pa vënë gishtin në mendje dhe pa e parë realitetin në sy. Tifozeri symbyllur. Kështu është kur politologët tanë s’e marrin guximin të flasin a të shkruajnë. Dhe më e keqja: demokracinë te ne e komentojnë edhe analistë të importuar që s’e njohin realitetin e vendit gjegjës, që s’ua dinë as emrat partive, që s’e njohin gjuhën e parë të këtij shteti, për pasojë flasin për politikën ndër ne “nga korneri”.

Këtu duhet përmendur edhe dimensionin gjinor, në një shoqëri patriarkale si e jona, e pranojmë ose jo, gruaja është makinë votimi, ajo është robot që merr urdhrat nga burri, mashkulli, vëllai, vjehrri. S’guxon të flasë e të votojë ndryshe se e ka bashkëshort, se “abinë” apo “daten” e ka “loçkë të zemrës” ku i bën të pamet, se vjehrrin e ka babë të burrit që është si në vend të babës e kështu me radhë.

Si përmbyllje: Për sa i përket relacionit individi-politika, pjekurisë politike dhe demokracisë, mund të thuhet se ende e mbajmë gjallë frymën kolektiviste. Kjo mund të burojë nga kodi kulturor-etnik i kryeparit, nga monizmi që ende nuk është harxhuar tërësisht ngaqë një pjesë e popullatës e kanë jetuar atë regjim. Ne ende nuk kemi arritur në stadin e demokracisë së mirëfilltë, ne jetojmë në si-demokraci apo pseudo-demokraci. Barra i mbetet brezit të ri, që duhet të shfrytëzojë të mirat e kohës, të selektojë të mirën nga e kjeqja historike-tradicionale. Kafjalli dhe ngjitja në veturë ditën e zgjedhjeve nuk duhet në asnjë mënyrë të shndërrohen në mini-mitingun e fundit të partisë. Çdo njeri e bart mbi shpinë barrën e vet, është peng i veprave të veta. Çdokush është i lirë të votojë atë që do, të mos votojë ose të penalizojë me votë shkelësin e besës së dhënë në ciklin paraprak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.