Debat publik: Qytetarët e Tetovës kërkojnë zgjidhje të reja në 2024 për probleme të vjetra (Video)

Ujë për pije, kanalizim, asfalt, pastërti, ndriçim publik. Këto janë vetëm disa nga kërkesat që qytetarët e Tetovës i shpalosën sot para vendimmarrësve komunal në debatin publik për propozim-buxhetin e vitit 2024 të Komunës së Tetovës, i cili është i planifikuar rreth 31 milionë euro, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët e Komunës së Tetovës nuk kërkojnë ndonjë zgjidhje të jashtëzakonshme, ata kërkojnë zgjidhje të problemeve elementare për jetesë.

Disa nga kërkesat që qytetarët parashtruan si propozime për tu përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm janë rregullimi i kanalit të lumit në Reçicë të Vogël konkretisht te rruga e UÇK-së, fonde për Këshillin Komunal Social në mënyrë që i njëjti të aplikojë për projekte dhe thirrje, rregullimi i rrugës në lagjen Çarshi e Epërme, ndërtimi i mburojës së Lumit Shkumbin, pastrimi i Lumit Shkumbin, rrjeti i kanalizimit në fshatin Poroj, rrejti i shpërndarjes së ujit për pije në fshatin Poroj, asfaltimi i rrugëve kryesore në fshatin Poroj, rregullimi i kanaleve për ujitje, ndriçimi publik, hapja e bulevardit “V.S. Bato që do lidhte Tetovën me rrugën rajonale për në Jazhincë në fshatin Poroj, rikonstruimi i rrugës 188, kanalizim në fshatin Xhepçisht, mbikalim për këmbësorët në rrugën Industriale, kanalizime dhe asfaltime.

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi sqaroi se nga Sektori i Financave është përpiluar një draft version për buxhetin e vitit 2024 në të cilin janë përfshirë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Ai tha se mjetet të cilat i kanë paraparë në buxhet janë të ndara për infrastrukturë, arsim, kulturë, sport dhe për të gjitha fushat për të cilat kanë nevojë qytetarët, apo për të përmirësuar jetët e qytetarëve.

“Në propozim buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2024 të hyrat të përgjithshme që janë paraparë janë1,911,571,000 , ndërsa të dala e përgjithshme janë paraparë 1,911,817,000 denarë , ka një deficit prej – 246,000 denarësh”, tha Durmishi.

Nuredin Deari nga Sektori i Financave duke elaboruar planifikimet financiare sqaroi se buxheti është i shpërndarë në bazë të sektorëve dhe realizomi do të jetë në bazë të kërkesës nga sektorët e Komunës së Tetovës. Ai theksoi se i buxhet rezervë janë ndarë 4 milionë denarë.

Sektorët për Veprimtari Komunale, Publike, Urbanizmit dhe për Zhvillim Ekonomik Lokal elaboruan në pika të shkurtra se në çfarë do fokusohen vitin 2024.

Ditën e enjte, me 28 dhjetor do të mbahet seanca e Këshillit Komunal, ku propozim-buxheti pritet të votohet nga këshilli komunal.

Rikujtojmë që buxheti për vitin 2023 i Komunës kapte vlerën 29 milionë eurove ndërsa për vitin 2022 ishte rreth 26 milionë euro.

Debatin publik mund ta ndiqni në videon më poshtë.