Imagjinoni të jetoni në një shtëpi të përbashkët, ku menaxherja e shtëpisë për shumicën e banorëve është një nënë tepër përkëdhelëse, kurse për tjerët si një njerkë e keqe. Madje atë ligësi nuk mund ta fsheh! Kurse dikush këtyre të fundit dikush u kishtë telefonuar ta votonin njerkën! Ata tani mallkojnë veten – “mu thaftë dora kë votova!” Ajo nuk e ka nënshkruar ligjin për diploma në gjuhën amtare në parashkollor kur edhe doktoraturat merren në gjuhën amtare. Apo ndoshta nuk i ka pëlqyer emrimi i gjuhës në vend të 20%?! Një legaliste e vërtetë! Por, kur shefi Mickovski e pat qortuar, ajo si e çoroditur: “S’e paskam menduar se del ashtu… as sa gabime bëjkam!” Gjuha e trupit të saj flet se “nëna e kombit” nuk qenka ajo, sepse paska një efektiv tjetë që qenka “baba i kombit”.Kështu është kur titulli nuk meritohet por, dhurohet. Atëherë institucionet i gjasojnë një kënete të qelbur.
Por, ta lëmë mënjanë “psikoanalizën” dhe të fillojmë me qëndrimin e saj për atë që quhen konventa evropiane (të Këshillit të Europës). Këtu, shpjegimet e saj tingëllojnë më shumë si dhunim sesa drejtësi. Qoftë nga injoranca apo nevoja për një politikë ditore, fakti se ajo fletë “perla të çuditshme” për të cilat zakonisht unë u jap studentëve një notë të dobët. Rreziqet vijnë ose nga thellësia e detit ose nga cektësia e mendjes,
Por së pari, për efektet juridike të konventave të shumta të Këshillit të Evropës. Shumica e këtyre akteve përmbajnë limite minimale nën të cilët shtetet anëtare nuk duhet të zbresin, por që sigurisht se mund të shkojnë më lart. Madje kjo është e dëshirueshme. Për shembull, Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale ka një organ të quajtur “Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale”, i cili vlerëson gjendjen e demokracisë lokale dhe rajonale në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, por vetë autoritetet lokale dhe rajonale mund të i drejtohen Kongresit nëse e konsiderojnë se funksionimi i tyre është i kërcënuar. Karta i detyron shtetet të bëjnë një përzgjedhje midis disa pozicioneve (standardeve), por ato duhet të përparojnë vazhdimisht drejt më të mirës.
Karta Evropiane për Gjuhët, ato i konsideron ato një “thesar kulturor”e jo si një e keqe e pashmangshme! Madje parashikon edhe promovimin e gjuhëve të tilla, e jo si te ne ku heqet gjuha shqipe nga tabelat në rrugë dhe pika kufitare, se dikujt ia prishin sytë! Këtu Presidentja Davkova në emisionin “Vetëm Intervistë” jep interpretim ugërzi të nenit 7 të Kushtetutës. Aty qëndron se: “Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjuhë zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase mund të përdoret në pajtim me ligjin”. Ajo tha se nga vet fakti se ekziston fjala “mund”, kjo nënkupton se norma s’ka karakter obligativ!Këtu grada e saj shkencore meriton një shportë.Është fatkeqësi për një shkencëtare që duhet ta njohë mirë këtë temë, aq më tepër kur është në rolin e “nënës së kombit” që duhet të bashkojë e jo të ndajë!
Pra, në parim, konventat e Këshillit të Evropës përshkruajnë standarde minimale nën të cilat shtetet dhe legjislacioni i tyre nuk mund të bien. Prandaj, është e kuptueshme që Komisioni i Venecias, si një organ këshillimor i Këshillit të Evropës, është krijuar kryesisht për të ndihmuar në zhvillimin progresiv në vendet me kapacitete të dobëta demokratike dhe jo për të kufizuar progresin dhe avancimin. Pra, nuk bëhet fjalë për kufizimin të sipërm për gëzimin e të drejtave, por për përcaktimin e një kufiri nën të cilin shtetet nuk mund të shkojnë. Por, te ne, gjithçka është e mundur! Nuk është e turpshme të thuhet se Komisioni i Venecias u krijua për të rikuperuar rendet ligjore primitive evropiane, të cilat përfshin Gjeorgjinë, Moldavinë, Azerbajxhanin, Rusinë, Ukrainën, etj. Sigurisht, edhe ne. Për shumë vende europiane është poshtëruese t’i drejtohen Komisionit të Venecias, aq më tepër kur dihet se ekspertët e tij emërohen nga qeveritë vendore në baza partiake!
Nuk kam nevojë t’ju kujtoj nga një degë tjetër se në kushtetutat moderne, ndryshe nga më parë, nuk zbatohet më rregulli “çdo gjë është e ndaluar përveç nëse nuk është qartë e lejuar, por e kundërta, pra: “çdo gjë është e lejuar pos nëse qartë nuk ndalohet. “Çdo ekspert normal europian do ta lexojë fjalën “mund” në mënyrë afirmative. Sipas logjikës së saj, të gjitha institucionet që ofrojnë arsim të lartë në gjuhën shqipe (përfshi edhe studimet e doktoraturës) duhet të mbyllen, sepse këtë nuk e parashikon Kushtetuta jonë. Neni 48 paragrafi 4 i Kushtetutës thotë: “Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë në mësimin në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhë tjetër, mësohet edhe gjuha maqedonase. Dhe çfarë të bëjmë tani me interpretimin e saj?! Unë e kuptoj qëndrimin e saj, sepse pa VMRO-në, ajo as në ëndrrat më të çmendura nuk do të mund të bëhej shefe e Vila-Vodnos, por kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë të shtrembërojë gjërat! Edhe teksa fliste në emision se si organet e drejtësisë duhet të jenë të “pavarura” nga politika dhe që politikanët të mos ndërhyjnë, ajo për momentin pat harruar dhe për rastet e “27 Prillit” tha se “si mund të mbahet dikush gjashtë vjet në burg pa bazë ligjore, kjo është një gjë e tmerrshme!” Kjo është vërtet e tmerrshme për një shkenëtare që për nga një rastësi është politikane!
Maqedonia është një rast kundër vetes!
Maqedonia gjendet në një situatë jashtëzakonisht delikate në gjeopolitikën aktuale dhe të ardhshme globale dhe rajonale. Fatkeqësisht, ata që këtë duhet të dinë ende nuk e dinë. Kufijtë do të ndryshojnë edhe në Evropë. Më të fortit do ia kalojë më mirë! Të tjerët, varësisht se sa të aftë janë në luftën për mbijetesë. Ka gjasa që të dështojë edhe aksi Rusi-Hungari-Serbi-Maqedoni. Serbia do të duhet të mbajë zgjedhje këtë vit, që do të thotë se regjimi i Vuçiqit do të përshëndetet me pushtetin e gënjeshtrave. Gënjeshtra shpesh këthehet që t’ju përndjek. Madje, edhe një gabim i vogël mund t’u kushtojë shtrenjtë shteteve të rajonit. Një profesor im i famshëm nga Zagrebi (një shkencëtar i mirë), tashmë në vite, më thotë – “Koleg, koha e pandemisë për shtetet po vjen”. Ata me imunitet më të fortë do të jenë në gjendje të shpëtojnë veten. Mjerë ata që udhëhiqen nga një mentalitet i përgjumur, apo me ndjenjë të dobët të kohës dhe hapësirës politike. Mjerë ata që udhëhiqen nga një mendje e konservuar! Në një pandemi kaq të rrezikshme, Maqedonia mund të mbetet lehtësisht një rast në vetvete ose kundër vetvetes.
Në të gjitha këto handikape, Mickovski duket se po bën punën më të mirë, duke u distancuar me sukses nga nacionalizmi jashtëzakonisht ekstrem që praktikoi gjatë zgjedhjeve. Por, edhe kjo është legjitime për dikë. Moralisht, sigurisht se jo. Morali shpesh përfundon aty ku fillon politika e zhveshur. Por së fundmi ai po arrin ta portretizojë veten si një balancues i suksesshëm në të gjithë komponentët e qeverisjes, pavarësisht nëse dikush mbetet në pozitën e gomarit! Por këto janë rregullat e lojës.
Realisht Maqedonia është në një fazë të avancuar të kancerit. Është i vetmi vend në Evropën Lindore që kishte një fillim të mirë dhe një përfundim të keq e më keq. Ka një kurë, por është shumë e shtrenjtë dhe e vështirë për t’u aksesuar për mendjet mesatare politike. Dhe për më tepër, ne si pacientë nuk besojmë më se mund të shërohemi. Kurën e disponojnë vetëm shtetarët kamikazë, që ne nuk e kemi. Largë jemi nga Japonia. Kush është ai që mund të miratojë një ligj për konfiskimin e pasurisë së padëshmuar? Nëse kemi një të tillë, atëherë kemi një udhëheqës që do e nxjerrë popullin nga depresioni i rëndë dhe do ta inkurajojë atë të ecë përpara. Dhe hapi i dytë duhet të ofrojë projekte që do ta shndërronin vendin në një kantier ndërtimi dhe do ta ndryshonin në pesë vjet. Pra, të kesh një Mal Sharr dhe të mos kesh 30 terrene moderne skijimi është e barabartë me injorancë totale ose me mungesë vullneti. Kinezët thonë se do të sillnin miliona turistë këtu çdo vit (me një sezon skish shtatë mujor me ndihmën e borës artificiale). Me bujqësi dhe blegtori moderne që sjellin shpejt fitime. Ne kemi nevojë për një revolucion mendor sepse jemi mësuar me mendimin dëshpëruese – “te ne nuk shkon asgjë”. Ekspertët thonë se në një vend si i juaji, ne mund të mbështesim 30 milionë njerëz me një standard shumë herë më të lartë se ai aktual. Tajvani ka madhësinë e Maqedonisë dhe mbështet 25 milionë njerëz me një standard jetese shumë më të lartë se i yni. Izraeli është territorialisht më i vogël se vendi ynë. Ka një sipërfaqe prej rreth 21,000 km2, dhe mbështet mbi nëntë milionë banorë që jetojnë me një standard jetese katër herë më të lartë se i yni. Edhe pse ai vend prej 70 vitesh është në luftë të vazhdueshme me fqinjët e tij, megjithatë ka vite që po përjeton një bum ekonomik. Është një shkollë mendimi se si edhe një shkretëtirë mund të shndërrohet në tokë pjellore. Kurse ne po e kthejmë tokën tonë jashtëzakonisht pjellore në një shkretëtirë.
Kështu, ne mbetemi një mbrojtje e pafuqisë, pasivitetit, urrejtjes dhe depresionit, për të cilat të tjerët na janë fajtorë. Ne jemi të talentuar vetëm për nacionalizëm të zhveshur e primitiv. Edhe ata që ishin shumë prapa nesh në vitet nëntëdhjetë, tani kanë arritur në Shengen! Të gjithë po ecin përpara, kurse ne vazhdimisht qajmë për fatin tonë fatkeq, duke fajësuar të tjerët që tashmë janë shumë përpara nesh dhe i kanë arritur qëllimet e tyre. Dhe ne, për fajin tonë, si idiotë fshati me pantallona të grisura, shërbejmë gjatë gjithë kohës si një trup për përcjellje për udhëtarët përreth që po udhëtojnë drejt normalitetit. Na mbetemi duke qarë përherë për fatin tonë fatkeq, duke vazhduar në të njëjtën kohë të gjejmë probleme për çdo zgjidhje, në vend të një zgjidhjeje për çdo problem! Knaqemi me të kaluarën, por ja që askush nuk është kthyer nga atje.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.