“Datë festimi për historinë tonë të përbashkët”, Radev me urim deri te Siljanovska dhe qytetarët për “Ilindenin” 

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka deklaruar se vendi i tij ka vendosur të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut dhe të ofrojë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e kritereve të dakorduara për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi shefi i shtetit bullgar në urimin e drejtuar te homologia maqedonase, Gordana Siljanovska – Davkova, raporton 360shkallë, përcjell Portalb.mk.

Si trashëgimtarë të paraardhësve tanë, ne kemi përgjegjësi dhe detyrë historike që të ndjekim dhe zbatojmë premtimet nga e kaluara jonë, për shkak ardhmërisë sonë të përbashkët, deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në urimin për “Ditën e Ilindenit”.

Ai vlerësoi që vetëmohimi i heronjve të Kryengritjes së Ilindenit, do të lidh gjithmonë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe qytetarët e tyre.

“Idealet e larta të kryengritjes, sot janë bazë e vlerave të Evropës së Bashkuar”, theksoi Radev, duke theksuar se Marrëveshja për fqinjësi, miqësi dhe bashkëpunim të mirë prej vitit 2017, duhet të zbatohet.

Maqedonia e Veriut dje ka shënuar 121 vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës në Krushevës.

Ndryshe, me formimin e Qeverisë së re në RMV të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, ka filluar edhe tensionimi i raporteve me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.