DAP: Përfundoi përllogaritja vjetore e tatimeve për qytetarët, 39.8 miliardë denarë tatim mbi të ardhurat personale
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njofton se ka përfunduar procesi i tatimimit vjetor të qytetarëve për vitin 2025. Sipas të dhënave të DAP-it, qytetarët gjatë vitit 2025 kanë deklaruar të ardhura të përgjithshme në vlerë prej mbi 612 miliardë denarësh, ndërsa tatimi i llogaritur mbi të ardhurat personale arrin në 39,8 miliardë denarë, transmeton Portalb.mk.
Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat e përgjithshme të deklaruara në deklaratat vjetore tatimore janë rritur për 74,1 miliardë denarë, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale është rritur për 4,86 miliardë denarë.
“Janë gjeneruar 863.100 deklarata vjetore tatimore, prej të cilave 704.443 janë të qasshme në profilet e përdoruesve në sistemin e-Shërbimet Tatimore. Pjesa tjetër u përket personave që ende nuk kanë regjistruar profil përdoruesi në portal dhe për këtë arsye nuk mund të kenë qasje në deklaratën vjetore tatimore për të kontrolluar të dhënat dhe për të shkarkuar urdhërpagesën.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje të gjithë personave fizikë që ende nuk kanë profil përdoruesi në sistemin e-Shërbimet Tatimore, të regjistrohen sa më shpejt. Qasja në deklaratën tuaj është e drejtë dhe përgjegjësi juaja – vetëm përmes sistemit mund të kontrolloni nëse keni detyrim për pagesë shtesë ose të drejtë për kthim të tatimit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Nga DAP bëjnë të ditur se, nga numri i përgjithshëm i deklaratave të disponueshme në profilet e përdoruesve në sistemin e-Shërbimeve Tatimore, 26.653 deklarata janë konfirmuar personalisht nga tatimpaguesit, 1.145 deklarata janë korrigjuar prej tyre, ndërsa 676.645 deklaratat e mbetura janë konfirmuar zyrtarisht nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.