Bytyqi: Qeveria “është e hapur” TVSH-ja për peleta të mbetet 5 përqind

Qeveria është e hapur të japë mendim pozitiv – TVSH-ja për peleta të mbetet pesë përqind, deklaroi sonte zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi pas paralajmërimeve për protesta të mundshme nëse norma e taksës rritet në 18 përqind, njofton Portalb.

“Peletat janë një nga produktet për ngrohje të cilët i përdor popullata. si Qeveri jemi të hapur të japim mendim pozitiv për pesë përqind pa dallim se prej nga vjen iniciativa”, tha Bytyqi pas vizitës së kompanisë “Makprogres”.

Iniciativa që TVSH-ja të mbetet pesë përqind është nga Shoqata e konsumatorëve “Solidariteti”. Ata u kërcënuan edhe me protesta para Ministrisë së Financave nëse kërkesa e tyre nuk përmbushet.

Problemi me peletata u paraqit me ndryshimet e Ligjit për TVSH, me ç’rast parashikohet norma e taksës për qarkullimin dhe importin e peletave, sobave me pelet, të rritet nga pesë për qind në normën e rregullt prej 18 përqind. Ndërsa shteti deri vitin e kaluar promovonte ngrohjen me peleta. Në nivel lokal dhe qendror jepeshin edhe subvencione për furnizim të sobave të këtilla.