Burri i zhgënjyer dhe kojota
Solidariteti dhe mirënjohja janë vlera të epërme njerëzore. Ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre që na ndihmuan kur sytë tanë shihnin vetëm errësirë në tunelin e jetës, por edhe atyre që punuan pareshtur apo flijuan gjithçka për të mirën e përgjithshme.
Mosmirënjohja është ves i keq. Poeti romak, Ausoniusi, shkroi se toka nuk prodhonte asgjë më të keqe sesa një njeri mosmirënjohës.
Te Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit, Viola thotë: “Urrej mosmirënjohjen te një burrë, / më shumë se gënjeshtrën e kotësinë”. (Përktheu Vedat Kokona, Tiranë, 1982, f. 126).
Sipas Kantit, mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.
Dostojevski shkoi më larg. Ai e përkufizoi njeriun si qenie mosmirënjohëse që lëviz me dy këmbë.
Sipas Murat Isakut, të ligut nuk mund t’i kërkojmë mirësi, sepse pasi vetë nuk e ka, nuk ia di as vlerën.
Ka edhe një rrëfenjë të bukur për burrin e zhgënjyer dhe kojotën, që simbolikisht flet mbi sakrificën dhe mirënjohjen.
Në natën e acartë, burri i zhgënjyer dhe i pafat në dashuri doli ta përqafonte vdekjen. Në pyllin e errët pa një kojotë, e cila e shikonte çuditshëm. Burri mendoi se do të sulmohej, por ajo mezi u ngrit në këmbë, sepse i vuante dhimbjet e lindjes.
Sakaq u rikthye i ftohti dhe bora nuk po pushonte. Mes rënkimeve e dhimbjeve, lindi kojota e parë dhe pastaj edhe e dyta. Burri i përqafoi kojotët dhe i mbuloi me rrobat e pakta që kishte.
Çuditërisht, stuhia ndaloi, qielli u pastrua dhe hëna u shfaq. Në këtë skenë mahnitëse, kojotët i zuri gjumi, teksa burri u siguronte ngrohtësi.
Kur nëna kojotë u zgjua pa se burri nuk lëvizte. Ai e kishte flijuar jetën që t’i shpëtonte kojotët. Zoti i erërave i tha asaj se burri që kërkonte dashuri tani mund të ishte kudo: nëpër borë, në pisha, përrenj, madje edhe nëpër erë.
Kojotët vazhdonin ta kujtonin çdo natë dashurinë e burrit. Thonë se ulërijnë natën dhe presin ta shohin shpëtimtarin e tyre që ta falënderojnë dhe t’i thonë se e duan shumë.
Nga e sipërthëna nxjerrim edhe këtë porosi: duke shprehur solidaritet e dhembshuri për tjetrin, që vlerësohen aq shumë në librat e shenjtë, ne shprehim një përmasë të thellë të njerëzores dhe jemi më pranë hyjnores.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.