Burhan Bekteshi flet për ndjenjën e dhimbjes, pas refuzimit nga shoferi: “Më poshtëroi, vetëm pse isha me karrocë”
Burhan Bekteshi nga Shkupi, një person që përdor karrocë me rrota, përjetoi një poshtërim të thellë nga një shofer autobusi i linjës 19 (Shkup – Shuto Orizare – Vizbeg). Bekteshi i revoltuar, bëri një apel publik në Facebook, duke treguar se shoferi e refuzoi disa herë të hipte në autobus vetëm pse ishte me karrocë, duke e bërë të ndihet i fyer dhe i poshtëruar. Tregimi i tij që në thelb ka diskriminimin mori vëmendjen dhe mbështjetjen e mediave dhe opinionit të gjërë, shkruan Portalb.mk.
Në një bisedë me Portalb.mk, Bekteshi tregon se kjo ngjarje ka ndodhur në vazhdimësi, por kulmi ka qenë një muaj e gjysmë më parë. Shoferi, sipas tij, nuk donte ta merrte në autobus, duke dhënë justifikime të tilla si “nuk punon rampa”. Bekteshi thotë se e duroi sjelljen e tij për një kohë, duke e paralajmëruar shoferin se do ta publikonte. “Ai më thoshte: ‘Më nxirr, mua nuk më intereson’, ‘Nuk dëgjoj unë për atë punë’,” tregon Bekteshi.
“Me të thënë të drejtën, kjo është shumë e rëndë, sepse ma ka thyer edhe dinjitetin tim. Më ka poshtëruar, pasi u desh të nxjerr veten në media e televizione. Për çka? Për një arsye të vogël, vetëm pse ai pritoi të çohej, domethënë për një minutë punë,” shprehet Bekteshi, duke treguar ndjenjën e thellë të ofendimit.
Ai thekson se ka të drejtat e tij, pavarësisht se është në karrocë.
“Për çka mos me guxu me fol? Kush janë ata? Çka ke ti më shumë se unë që mos me fol? Edhe unë i kam të drejtat e mia, s’ka lidhje pse jam në karrocë,” thotë ai.
Bekteshi kërkoi nga Ndërmarrja Publike e Transportit Publik – Shkup dhe ndaj institucioneve përgjegjëse që të marrin masa ndaj shoferit. Ai kërkoi që shoferi të përjashtohet nga puna, si dhe që institucionet të krijojnë mekanizma mbrojtës për personat me aftësi të kufizuara.
“Të mos mbyllen sytë para këtij turpi,” përfundon ai.
Çdo ditë përjetojnë vështirësi
Portalb.mk ndjek vazhdimisht sfidat që hasin personat me aftësi të veçanta në jetën e përditshme.
Më, 18 korrik 2024, dy të rinjtë, Lavdrim Veli dhe Gadaf Memeti nga Tetova theksuan sfidat e përditshme me të cilat përballen personat me aftësi të veçanta në institucionet publike.
Ndërsa, me 17 gusht 2024, Refik Ajeti nga Likova rrëfeu për Portalb.mk se mungesa e stazave për karroca, e ashensorëve dhe infrastruktura e dobët e bëjnë përditshmërinë e personave me aftësi të veçanta jashtëzakonisht të vështirë.”
Gjithashtu, me 23 shtator 2024, Ertan Shakiri dhe Zhivko Milevski nga shoqata “Sos Vita” në Shkup treguan për vështirësitë dhe problemet infrastrukturore me të cilat përballen çdo ditë.”.
Rrjedhimisht, kjo problematikë nuk është e theksuar vetëm në Tetovë, Shkup Kumanovë, dhe Likovë, por në të gjithë qytetet e vendit. Në këtë drejtim, vendi vazhdimisht merr kritika nga BE-ja. Për shembull Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë thekson se çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuar mbetet problem që kërkon zgjidhje.
Kujtojmë se, me 28 dhjetor 2023, Qeveria e RMV-së miratoi Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030, me Plan Veprimi të strategjisë nacionale për vitin 2023-2026.
- LEXO: Për institucionet në Tetovë personat me karroca mbeten të padukshëm, nuk ka as kushte infrastrukturore dhe as trajtim të denjë
- LEXO: Kumanovë, institucionet “mbyllin sytë” para personave me aftësi të veçanta fizike, infrastruktura lë për të dëshiruar
- LEXO: Infrastruktura dhe institucionet në Çair mbeten armike për personat me aftësi të veçanta fizike (Video)
- LEXO: Qeveria miratoi Strategjinë e re Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030