RMV, fëmijët e dhunuar të pambrojtur dhe personat me nevoja të veçanta të diskriminuar, institucionet assesi të veprojnë

Shqetësimet e Bashkimit Evropian mbi të drejtat e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara në RMV janë alarmante. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të kuptuar dhe adresuar më mirë sfidat me të cilat përballen grupe të ndryshme fëmijësh si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në nevojë, fëmijët nga minoritetet është i dobët. Fenomeni i martesave me të mitur vazhdon ende, veçanërisht në komunitetin rom dhe kjo gjë duhet të trajtohet. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim të konsiderueshëm, si të drejtpërdrejtë ashtu edhe të tërthortë, për shkak të barrierave të lidhura me infrastrukturën, mungesa e informacionit dhe shërbimet, qëndrimet diskriminuese dhe përjashtimi social. Pavarësisht se këto dhe të tjera shqetësime janë të sistematike, institucionet e vendit vazhdojnë të mos bien “në kurriz”, duke thënë se po punojnë vazhdimisht në këto rekomandime, shkruan Portalb.mk.

Në shkurt të këtij viti, Portalb.mk trajtoi pikërisht çështjen e fëmijëve romë, të cilët jo pak të përmendur janë edhe në këtë raport skriningu. Megjithatë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, atëkohë u arsyetua se po punojn vazhdimisht e në veçanti për përfshirjen e fëmijëve romë në institucionet publike, punojnë 15 vite me radhë. Megjithatë, edhe pas një dekadë e gjysmë, rezultatet janë të dobëta. Fëmijët romë edhe më tej janë pre e trafikimit dhe keqpërdorimit për përfitime materiale.

Të drejtat e fëmijës

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, theksohet se kuadri ligjor është i vjetërsuar dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së, duke përfshirë Direktivën (BE) 2016/800 mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose të akuzuar në procedimet penale.

“Konsensusi shoqëror dhe ndërpartiak është i pamjaftueshëm për reformat kryesore legjislative për të kapërcyer boshllëqet ligjore, duke ndjekur nevojat dhe interesat më të mira të fëmijëve. Mospërputhjet ndërmjet dispozitave të ligjit të familjes për birësimin dhe standardeve ndërkombëtare mbeten”, thuhet në raport.

Sfidat strukturore janë adresuar në mënyrë të pamjaftueshme, si mungesa e burimeve nga institucionet shtetërore që merren me të drejtat e fëmijëve, mungesa e dokumenteve strategjike për të drejtat e fëmijëve dhe funksionimi i organit ligjor përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Një Plan aksionar për fëmijët, duke përfshirë buxhet të mjaftueshëm dhe modele sektoriale për të ofruar shërbime efektive për fëmijët, ende nuk është përgatitur.

Burimi: freepik.com
Burimi: freepik.com

“Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të kuptuar dhe adresuar më mirë sfidat me të cilat përballen grupe të ndryshme fëmijësh si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në nevojë, fëmijët nga minoritetet (përfshirë fëmijët romë) është i dobët. Sfidat mbeten për zbatimin e plotë të strategjisë kombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve (2020-2025). Burimet e destinuara për sistemin e mbrojtjes së fëmijëve për të adresuar sfidat në rritje të dhunës dhe abuzimit në internet (ngacmimi kibernetik) mbeten të mangëta”, nënvizon raporti.

Përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën ndaj fëmijëve në publikun e gjerë dhe profesionistët për të njohur abuzimin dhe raportimin e tij janë të pamjaftueshme.

Më tej thuhet se vendit i mungojnë programet për të ofruar mbështetje sociale, psikologjike dhe ligjore për fëmijët viktima të dhunës. Duhet të merren dhe zbatohen masa shtesë për të siguruar që fëmijët e cenueshëm të mbrohen nga shfrytëzimi seksual.

“Sistemi i mbrojtjes sociale aktualisht nuk është mjaft i ndjeshëm ndaj fëmijëve dhe nuk bazohet mjaftueshëm në një model të ofrimit të shërbimeve me në qendër fëmijën, me mungesë zhvillimi dhe mbikëqyrjeje profesionale në ofrimin e shërbimeve cilësore të mbrojtjes së fëmijëve”, thuhet në rekomandimet e KE-së.

Ashtu sikurse e cekëm më lart, e që MPPS pretendon se po punon prej 15 vitesh, Brukseli përsëri ka theksuar nevojiten përpjekje për të siguruar akses të barabartë në arsim cilësor.

Mungon edukimi ligjor që u ofrohet gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë për çështje të tilla si diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar, dhuna me bazë gjinore dhe seksuale ndaj grave dhe dhuna ndaj fëmijëve.

Ligji për drejtësinë për të mitur nuk zbatohet sistematikisht. Qasja në drejtësi, përfaqësimi ligjor dhe kapaciteti i zyrtarëve publikë të përfshirë me fëmijë viktima, fëmijë dëshmitarë dhe fëmijë në konflikt me ligjin janë ende të pamjaftueshme.

Qasja ndërsektoriale për zbatimin e kuadrit ligjor nuk është e sistemuar dhe e efektshme ndërmjet profesionistëve të drejtësisë për të miturit.

E drejta për martesë dhe e drejta për të krijuar familje

Komisioni konsideron se kuadri ligjor dhe institucional në përgjithësi është në përputhje me standardet evropiane. Megjithë ndalimin ligjor të martesave me të mitur, fenomeni vazhdon veçanërisht në komunitetin rom dhe duhet të trajtohet.

Autoritetet duhet të promovojnë masa më efektive të politikave drejt ndërgjegjësimit në nivel komuniteti, si dhe në parandalimin dhe mbështetjen e fëmijëve të prekur nga martesat duke qenë të mitur.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Pavarësisht kuadrit strategjik që përfshin Strategjinë Kombëtare për Arritjen e të Drejtave të Barabarta për Personat me Aftësi të Kufizuara, Këshilli nënvizon se personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim të konsiderueshëm, si të drejtpërdrejtë ashtu edhe të tërthortë, për shkak të barrierave të lidhura me infrastrukturën (qasja e pamjaftueshme), mungesa e informacionit dhe shërbimet, qëndrimet diskriminuese dhe përjashtimi social. Ndryshimi nga një model mjekësor i bazuar në një model social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në të drejtat e njeriut nuk është sjellë në mënyrë sistematike.

Persona me aftësi të kufizuara, foto: Unspash
Persona me aftësi të kufizuara, foto: Unspash

“Maqedonia e Veriut ka krijuar struktura për zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Maqedonia e Veriut ka ratifikuar Protokollin Fakultativ të UNCRPD. Megjithatë, efektiviteti i organit kombëtar koordinues për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe kapaciteti i tij për të ndikuar vendimmarrësit në strukturat shtetërore është i pamjaftueshëm. Në kuadër të Avokatit të Popullit funksionon struktura për monitorimin e zbatimit të Konventës dhe është krijuar bashkëpunimi me shoqërinë civile”, thuhet në raportin e skriningut të Klasterit 1.

Maqedonia e Veriut po zbaton një strategji deinstitucionalizimi. Procesi i zhvendosjes së personave me aftësi të kufizuara nga institucionet e përkujdesit social është në vazhdim e sipër. Është pozitive që asnjë fëmijë nuk mbetet në institucione të mëdha.

“Fokusi duhet të bëhet në realizimin e të drejtës së personave me aftësi të kufizuara për të jetuar të pavarur dhe për t’u përfshirë në komunitet, duke përdorur si udhëzues “Udhëzimet për deinstitucionalizimin, përfshirë edhe në raste urgjente” të Komitetit të PMD.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në raportin e tij të fundit tremujor vë në dukje 18 raste të diskriminimit të raportuar për shkak të aftësisë së kufizuar, kryesisht të lidhura me mungesën e qasjes dhe ndarjes në sistemin arsimor.

Kujtojmë se në raportin e vitit 2022, për personat me aftësi të kufizuara, u thanë të njëjtat gjëra “Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime në reformën sociale, megjithëse është akoma shumë larg pritshmërive apo standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane. Edhe pse vendi në vitin 2019, solli disa shërbime të reja për personat me aftësi të kufizuara, megjithatë kjo nuk i bën më pak të diskriminuar këtë kategori të cenueshme qytetarësh. Ajo çfarë KE-ja vërejti në raportin e vitit 2021 ishte se kjo kategori qytetarësh vazhdojnë të përballen me diskriminim, mungesë të infrastrukturës, informacionit dhe shërbimeve”.

Sidoqoftë, Ministria përgjegjëse për këtë kategori qytetarësh, ajo e Punës dhe politikës sociale, kur është pyetur, numëron një sërë reformash, pa përmendur ata që nuk janë bërë ende.

Nga kjo ministri për Portalb.mk, në qershor 2023, deklaruan se reforma sociale që filloi në vitin 2019 prezantoi dy shërbime krejtësisht të reja për personat me aftësi të kufizuara, Asistencën personale dhe Kujdesin shtëpiak, duke shtuar se e drejta e aftësisë së kufizuar është zgjeruar edhe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, përderisa shtesa për kompensim të pagës për orarin e shkurtuar të punës për një prind që kujdeset për fëmijë me aftësi të kufizuara është rritur në 50% të pagës mesatare neto.

Maqedonia e Veriut është në fazën e skriningut, i cili filloi në shtator të vitit të kaluar. Pas 17 vitesh pritje në dyert e BE-së, më 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Problemet e lartcekura duhet të adresohen dhe deri në vitin 2030, nëse vendi hyn në BE, këto kritika nuk duhet të ekzistojnë.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila nuk pranoi t’i votojë ndryshimin e Kushtetutës.