Brukseli pritet që “Agjendën reformuese 2024-2027” të RMV-së ta miratojë në shtator, KE kërkoi përmirësime shtesë

Draft-Agjenda e Reformës për periudhën 2024-2027, e cila më 27 gusht u promovua nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pritet që në mesin e shtatorit të miratohet nga Komisioni Evropian. Këtë e konfirmuan nga Ministria për Çështje Evropiane për Portalb.mk. Kjo Agjendë nuk është ndarë ende me opinionin, pasi siç thanë nga kjo ministri është akoma në përpunim e sipër dhe ka marrë komente nga BE, ku kërkohet që të përmirësohet cilësia e dokumentit, si dhe integrimin në dokument të detyrimeve që rrjedhin nga Rregullorja për instrumentin për reforma dhe zhvillim miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së më 14 maj 2024.

Nga Ministria e Çështjeve Evropiane thonë se dokumenti nuk do të publikohet përderisa është ende si draft, por pasi të miratohet përfundimisht nga të dyja palët, Bashkimi Evropian dhe Maqedonia e Veriut.

“Dokumentet që janë në proces dhe nuk janë ekskluzivisht në posedim tonin, siç është rasti me Agjendën e Reformës 2024-2027, publikohen, përkatësisht i vihen në dispozicion publikut në tërësi pasi të dyja palët (Maqedonia dhe KE) të kenë miratuar versionet përfundimtare. Në këtë seancë qeveria dha pëlqimin për tekstin dhe procedura vazhdon në kuadër të KE-së. Sapo Draft-Agjenda e Reformës të miratohet/konfirmohet nga KE dhe të miratohet Vendimi Zbatues i KE-së, Projekt-agjenda e Reformës do të mund të përkthehet dhe të vihet në dispozicion të publikut, domethënë do të publikohet nga të dyja palët, KE dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së në pyetjen e Portalb-it se kur do të publikohet Agjenda.

Nga kjo ministri shtojnë se përgatitja e Agjendës së Reformës 2024-2027, si pjesë e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor 2024-2027, është punuar intensivisht në muajt e fundit në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Komisionit Evropian, përfshirë Delegacionin e BE-së në vend.

“Theksojmë edhe një herë se për sa kohë që dokumenti është draft, ai është në version pune dhe janë të mundshme shtesa dhe rregullime, për shkak të së cilave ende nuk mund të publikohet. Përgatitja e Agjendës së Reformës bazohet në udhëzime dhe procedura dhe hapa të harmonizuar me Komisionin Evropian, duke përfshirë listën e prioriteteve kyçe për thellimin e reformave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Agjenda e reformës do të miratohet nga KE dhe organet përkatëse në përputhje me procedurat e tyre të brendshme, të cilat parashikojnë edhe një konsultim ndërinstitucional, në të cilin përfshihen të gjitha drejtoritë e përgjithshme kompetente”, nënvizojnë nga Ministria për Çështje Evropiane (MÇE).

Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Konsultimet intensive ndërinstitucionale të KE-së për Agjendën, shtojnë nga kjo Ministri, kanë zgjatur deri para fundit të gushtit dhe komentet e punës që vendi ka marrë në vazhdimësi kanë qenë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së dokumentit, përshtatjeve të harmonizuara reciproke në prizmin e qëllimeve dhe të Qeverisë së re, si dhe integrimin në dokument të detyrimeve që rrjedhin nga Rregullorja për instrumentin për reforma dhe zhvillim (miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së më 14 maj 2024).

“Në këtë drejtim, janë zhvilluar pjesët e Agjendës së Reformës që i referohen krijimit të një strukture për monitorimin, raportimin dhe vlerësimin e zbatimit të Agjendës së Reformës, si dhe mekanizmat e kontrollit dhe auditimit. Sipas Rregullores 2024/1449, KE duhet të prezantojë Agjendën e Reformës para Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian dhe në fund ta miratojë atë duke miratuar një Vendim Zbatues të Komisionit Evropian. Sipas informacioneve që kemi aktualisht dhe njoftimeve nga KE, pritet që Agjenda e Reformës dhe Vendimi të miratohen në mesin e shtatorit 2024 në një seancë të Komitetit IPA”, thuhet në njoftimin e MÇE-së.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani më 27 gusht prezantuan Draft-Agjendën e Reformës për periudhën 2024-2027. Ky plan, i iniciuar nga Komisioni Evropian, synon të zvogëlojë pabarazitë ekonomike të shtetit dhe Bashkimit Evropian, duke u ofruar qytetarëve qasje në përfitimet e Bashkimit edhe para anëtarësimit zyrtar.

Kryeministri Mickoski iu referua 4 shtyllave themelore të Planit të Rritjes Ekonomike për vendet e BP-së. Në kuadër të këtij Plani, vendi ynë do të fokusohet në pesë fusha prioritare në agjendën e reformave: menaxhimi dhe reforma e administratës publike, tranzicioni energjetik dhe i gjelbër, zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i mjedisit afarist dhe sundimi i së drejtës.

  • Forcimi i integrimit ekonomik me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian – Ky proces do të rrisë qasjen tonë në tregje, do të përmirësojë tregtinë dhe do të promovojë stabilitetin rajonal.
  •  Thellimi i integrimit ekonomik rajonal – Nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me fqinjët tanë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, ne do të krijojmë një ekonomi më të fortë dhe më elastike.
  • Përshpejtimi i reformave themelore – Këto reforma janë kyçe për përputhjen tonë me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar zhvillim të shpejtë ekonomik dhe përfitime të konsiderueshme për të gjithë qytetarët tanë.
  • Rritja e ndihmës financiare për reformat – Me një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante, ekonomia do të marrë mbështetje të konsiderueshme për zbatimin e reformave dhe arritjen e synimeve tona.

Sipas formulës, 750.4 milionë euro duhet të na takojnë për periudhën 2024-2027. Agjenda e reformës për periudhën 2024-2027 duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, i cili do të hapë mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Mekanizmin e Reformës dhe Rritjes dhe Marrëveshjes së Huasë. Pas ratifikimit të marrëveshjeve, megjithatë, do të paraqitet kërkesa për tërheqjen e këstit të parë në shumën prej 7% të ndarjes së mjeteve, pra rreth 52.5 milionë euro.

“Agjenda e reformave është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian dhe do të mbulojë fusha prioritare si reformat e administratës publike, tranzicioni energjetik, siguria kibernetike, digjitalizimi, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe përmirësimi i mjedisit të biznesit. Këto prioritete janë thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe për sigurimin e stabilitetit dhe progresit afatgjatë. Është përgjegjësia jonë që të sigurojmë që të gjitha masat dhe hapat e parashikuar në Agjendën e Reformës do të zbatohen me sukses dhe se do të përdorim këtë mundësi historike për zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe integrim brenda Bashkimit Evropian. Çdo hap që hedhim, çdo reformë që zbatojmë është në drejtim të zbatimit të mëtejshëm të standardeve evropiane”, tha kryeministri Mickoski.

Ohran Murtezani dhe Hristijan Mickoski. Foto: Ministria për Çështje Evropiane
Ohran Murtezani dhe Hristijan Mickoski. Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Ndërkohë ministri Murtezani u ndërlidh me pjesën për detyrimet e ndërmarra në dritën e draftit të Agjendës së reformës 2024-2027 tashmë të miratuar (i cili do të mbetet si draft deri në miratimin përfundimtar nga KE).

“Këto fonde do të kushtëzohen nga realizimi i hapave specifikë cilësor dhe sasior në lidhje me masat për reformat e planifikuara. Ose me fjalë të tjera, dhe me shifra të rrumbullakosura, 250 milionë euro do të merren si grant ose fonde të pakthyeshme për projekte investimi, ndërsa 500 milionë euro do të sigurohen përmes një kredie me kushte jashtëzakonisht të favorshme (shlyerja duke filluar nga viti 2034, deri në Periudha e shlyerjes 40 vjet dhe norma e favorshme interesi), nga të cilat 250 milionë euro do të përdoren për zbatimin e reformave (mbështetje buxhetore) dhe 250 milionë të tjera do të ndahen për projekte investimi”, tha ministri.

Murtezani iu referohem konkretisht reformave të parashikuara.

“Në veçanti, ne do të punojmë në forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, forcimin e sistemit për prokurimin publik, dekarbonizimin dhe burimet e rinovueshme të energjisë, (turbinat diellore dhe me erë), miratimin e një sistemi tregtimi të emetimeve të gazit, efikasitetin energjetik dhe trajtimin e ndotjes së ajrit. Kjo përfshin zhvillimin e arsimit dhe aftësive nëpërmjet reformave të arsimit të mesëm profesional, si dhe reformimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe publike, veçanërisht në trafikun postar dhe hekurudhor, duke përfshirë futjen e një sistemi transporti inteligjent, rritjen e shërbimeve elektronike në operacionet doganore, përmirësimi i mjedisit të biznesit duke forcuar inspektoriatet dhe shtimi i inspektimeve, mbështetje për punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha Murtezani.

Reforma të tjera, ministri përmendi fushën e sundimit të ligjit – zhvillimi i demokracisë përmes reformës së legjislacionit zgjedhor, forcimi i pavarësisë, cilësisë dhe integritetit të gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratimi i Kodit të ri Penal dhe Ligjit të Procedurës Penale në përputhje me standardet e BE-së dhe prioritete të tjera.

Kujtojmë se drafti i Agjendës për Reforma për periudhën 2024-2027 u miratua në seancën e 19-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, më 02.05.2024.

Ndryshe, Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje më 4 prill për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro. Ky Plani ishte miratuar nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.