RMV, ngrirje e çmimeve apo kufizim i marzhit, propozimi do të presë bisedimet e Qeverisë me prodhuesit dhe tregtarët
Propozimi për ngrirjen e çmimeve të një pjese të produkteve ose kufizimin e marzhit mund të mos shqyrtohet në seancën e nesërme të qeverisë, paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. AI thotë se për propozimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, i cili javën e kaluar ishte paralajmëruar se do të jetë në seancën e nesërme të qeverisë, duhet të bisedohet me prodhuesit dhe tregtarët për të gjetur mënyrën më të mirë që të gjithë të jenë të kënaqur, transmeton Portalb.mk.
“Kam pasur bisedë me ministrin e Ekonomisë dhe Punës për të ftuar prodhuesit dhe tregtarët në një takim dhe për të diskutuar mënyrën më të mirë për të ndihmuar qytetarët nga njëra anë dhe nga ana tjetër për t’i bërë ata të kënaqur si prodhues dhe tregtarë. Nuk do të thotë domosdoshmërisht që në seancën e nesërme të qeverisë të bëhet propozimi ose një javë më vonë nëse është e nevojshme derisa të harmonizohen pikëpamjet. Nuk duam të bëjmë asgjë me dhunë”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse do ta mbështeste masën meqenëse ka thënë disa herë më parë se ngrirja e çmimeve nuk është e drejtë në këtë fazë të ekonomisë, Mickoski tha se i qëndron asaj që tha.
“Ka raste kur shikon sesi individët reagojnë si monopol dhe si duopol dhe më pas do të duhet të ndërhysh në mënyrë ofanzive. Kështu bëjmë ne. Aty ku ekonomia e tregut dhe praktikat e tregut diktojnë realisht çmimet, ne nuk ndërhyjmë. Por ka kushte kur sheh çmimet e importit dhe kur sheh se sa me saktësi kirurgjikale është ndarë tregu, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të ndihmosh qytetarët sepse është e pamundur që dikush të pasurohet në kurrizin e qytetarëve, kur ka monopol, duopol, e në disa raste edhe trepol”, tha Mickoski.
Ai thotë se i takon ekonomisë së tregut të diktojë çmimet, por, shton ai, fatkeqësisht ka individë që abuzojnë me këtë pozitë dhe këtu ne si Qeveri duhet të ndërhyjmë.
“Por gjithsesi kam folur me ministrin Durmishi sot në mëngjes dhe pres që pas këtij dialogu të dalim me qëndrim”, tha ai.
I pyetur nëse bëhet fjalë më shumë për praktikën e ngrirjes së çmimeve apo për kufizimin e marzheve, Mickoski u përgjigj se bëhet fjalë për ndalimin e pasurimit dhe vjedhjes së qytetarëve.
“Ne synojmë të bisedojmë me të gjithë aktorët dhe të punojmë së bashku për të mirën e vendit. Prodhuesit dhe tregtarët nga njëra anë dhe ne si Qeveri nga ana tjetër mendojmë mirë për shtetin dhe qytetarët. Le të gjejmë një mënyrë për të ndihmuar praktikisht. Nuk duam që ata të frustrohen për shkak të qëndrimit të dhunshëm të Qeverisë”, ka shtuar Mickoski.
Ai beson se shporta e vjeshtës, e cila është shpallur me këtë propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, nuk është vonë sepse vjeshta ende nuk ka filluar.
Lidhur me zbatimin e Ligjit për praktika të padrejta tregtare, i cili duhet të hyjë në fuqi më 28 të këtij muaji dhe i cili pritet të ulë çmimet e disa produkteve për rreth 20 përqind, Mickoski tha se nuk pajtohet me atë konstatim.
“Nuk do të thosha se çmimet do të bien me 20 përqind. Prodhuesit thonë ashtu, tregtarët thonë diçka tjetër dhe kur të shihni njoftimet që vijnë nga odat dhe nga strukturat e ndryshme, atëherë do të çojmë në një situatë konfuze. Sot në mëngjes fola edhe me kryetarin e Odës së Tregtisë dhe në fund kërkova mendimin e tyre se çfarë të bëj”, tha Mickoski.
Shportën e vjeshtës me produktet më të përdorura në këtë periudhë të vitit e shpalli kryeministri Mickoski javën e kaluar. Më pas ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi tha se është duke u përgatitur dhe në të do të gjendet oriz, fasule, fruta, perime, mish.
Durmishi tha se tashmë një grup i posaçëm pune po shqyrton nëse propozimi që do t’i japin Qeverisë do të jetë ngrirja e çmimeve të disa prej produkteve apo nga ana tjetër kufizimi i masës së marzhit.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha të premten se pret që të hënën të marrë propozim nga grupi punues për shportën e konsumit të vjeshtës dhe më pas të shkojë në seancën e rregullt të Qeverisë të martën.