Instituti i Shëndetit në RMV: Nëse 190 persona ecin, për një vit do të kursehen më shumë se 108 mijë euro

Hulumtimi i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregoi se përfitimet ekonomike nga ecja për 191 pjesëmarrës në një vit arritën në 108.808 euro dhe 3 vdekje të parakohshme të parandaluara në 10 vjet dhe një kursim prej 1 milion euro për të njëjtën periudhë, njoftuan nga ky Institut, me rastin e javës evropiane të lëvizshmërisë (16 – 22 shtator), transmeton Portalb.mk.

“Kjo është fushata kryesore e Komisionit Evropian për të rritur ndërgjegjësimin për lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane. Promovon një ndryshim në sjellje në favor të lëvizshmërisë aktive, transportit publik dhe zgjidhjeve të tjera të pastra dhe inteligjente të transportit. Ngjarja kryesore zhvillohet nga data 16 deri më 22 shtator të çdo viti dhe kulmon me ngjarjen popullore të ashtuquajtur “Ditë pa makina”. Aktiviteti fizik ka përfitime të konsiderueshme shëndetësore dhe ekonomike”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Të gjithë aktorët socialë, thonë ata, nga qytetarët e deri te pushteti qendror, kanë përgjegjësi në promovimin e aktivitetit fizik dhe lëvizshmërisë aktive.

“Duke investuar në zona të sigurta për këmbësorë dhe biçikleta, autoritetet e qytetit mund të krijojnë infrastrukturë që inkurajon qytetarët të jenë më aktivë. Ndërtimi i rrjeteve të shtigjeve për biçikleta dhe zgjerimi i zonave të këmbësorëve jo vetëm që rrisin nivelin e aktivitetit fizik, por edhe përmirësojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës. Nëpërmjet kësaj nisme, autoritetet qendrore dhe lokale mund të kontribuojnë ndjeshëm në uljen e varësisë nga makinat dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat urbane. Gjithashtu, krijimi i zonave të gjelbra dhe zonave rekreative nxisin ndërveprimin social dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Ndryshe, Java Evropiane e lëvizshmërisë organizohet çdo vit dhe iniciohet nga Komisioni Evropian, për të stimuluar ndryshim në shprehitë e qytetarëve për transport drejt përdorimit më të madh të transportit publik, biçikletave, skuterëve dhe mundësi të tjera të transportit inteligjent që çojnë në lëvizshmëri të qëndrueshme urbane.