BRICS kritika për tarifat dhe tensionet në Lindjen e Mesme, por jo ndaj SHBA-së e Rusisë
Vendet anëtare të grupimit BRICS, të mbledhura në Rio de Zhaneiro, kanë dënuar rritjen e tarifave dhe tensionet në Lindjen e Mesme, përfshirë konfliktin në Iran, por pa i drejtuar gishtin e përgjegjësisë presidentit amerikan, Donald Trump, raporton Euronews.
Në deklaratën përfundimtare, grupi përfshiu edhe aksionet ushtarake të Izraelit, por shmangu kritikat ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, e cila u përmend vetëm një herë dhe pa referenca të drejtpërdrejta.
Blloku shprehu “shqetësime serioze” për rritjen e tarifave, duke theksuar se kjo bie ndesh me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe mund të dëmtojë ndjeshëm ekonominë globale.
“Tarifat rrezikojnë të reduktojnë tregtinë globale, të çrregullojnë zinxhirët e furnizimit dhe të krijojnë pasiguri”, thuhet në deklaratë.
Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, kritikoi gjithashtu vendimin e NATO-s për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të PBB-së për vendet anëtare, duke u shprehur se “është më e lehtë të investosh për luftë sesa për paqe”.
Megjithatë, pavarësisht qëndrimit të përbashkët mbi çështjet ndërkombëtare, samiti nuk arriti pritshmëritë e plota për shkak të mungesës së liderëve kryesorë të grupit.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin munguan në takim. Putin vijon të shmangë udhëtimet ndërkombëtare për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar pas pushtimit të Ukrainës.
Po ashtu, në samit munguan edhe presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, si dhe ai egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, duke i dhënë një ton më të zbehtë takimit të nivelit të lartë.