Botë me robotë

Nuk jam i lumtur që jetoj në botën me robotë. Përherë më kanë mahnitur fluturimet e mendjes dhe jo të metalit. Mund të flasim nga largësia në kohë reale, por kurrë s’do të zbulohen aparate që të flasim me të vdekurit. Simulimet janë vetëmashtrim.

Nuk është teknologjia, por arti që u mundësoi protagonistëve të flasin me fantazmën e babait të vrarë ose të kalonin nga terri i vdekjes në dritën e jetës. Flenë me qindra vjet kreshnikët nëpër shpella dhe zgjohen për betejat e radhës. Nuk janë të ngrirë në freon, siç janë ngrirë të pasurit, të cilët kanë shpresuar se me përparimet teknologjike një ditë do të zgjohen nga gjumi i vdekjes.

Nuk do të doja të jetoja as në një botë ku përçmohet vdekja dhe as në një botë ku do të kishte ringjallje si ajo e Krishtit. Njeriu aty nuk do të ëndërronte përjetësinë, siç ëndërroi Gilgameshi para se të humbte barin e shumëkërkuar.

Njeriu ka për të shpikur gjëra metali dhe plastike, por jo edhe ndjenja të reja. Ai po i humb ndjenjat.

Nuk ndihem i lumtur në botën me robotë. Më mjafton një botë e thjeshtë, ku nuk mungon afërsia dhe miqësia ndërnjerëzore.

Nuk më lumturon qytetërimi që na vjedh botën dhe na humb paqen me veten; ku ligjërime kalimtare lëvizin ekraneve, kurse ditët ushqehen me Xanax.

Në poliset e fundosura në pisllëk sundojnë emra që botës s’i thonë asgjë. Poliset nuk e zbutin kafshërinë dhe as Enkidunë e egër nuk e kthejnë në njeri.

Mure e bedena nuk kanë poliset si dikur. Si në poezinë e Kavafisit, muret lartësohen në mendjet e njerëzve, të cilët vendosin verbërisht për fatkeqësinë e tyre në qytetërimin që çdo ditë duket gjithnjë e më i shpifur, më i errët e më i ankthshëm dhe ku faktori material po e ngufat faktorin shpirtëror.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.