Bjanka Stankoviq: Kur mediat raportojnë rregullisht për çështje gjinore publiku kupton problemet pas rasteve individuale
Gazetaria tematike luan rol thelbësor në zgjerimin dhe thellimin e hapësirës mediatike, duke sjellë në fokus tema që shpesh mbeten në periferi të raportimit të përditshëm. Ajo krijon vazhdimësi, ekspertizë dhe një qasje më analitike ndaj çështjeve si barazia gjinore apo drejtësia sociale, duke i trajtuar ato jo si ngjarje të izoluara, por si procese shoqërore që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Në një bisedë për Mollëkuqja.mk, kryetarja e PINA, Bjanka Stankoviq thekson pikërisht rëndësinë e këtij modeli gazetarie dhe nevojën për media që i japin hapësirë raportimit të thelluar dhe të vazhdueshëm.
Duke u mbështetur në përvojën e saj shumëvjeçare, ajo shpjegon se si gazetaria tematike ndihmon në ndërtimin e një publiku më të informuar dhe më kritik, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me pabarazitë strukturore dhe të drejtat e njeriut.
Në këtë kontekst, ajo ndalet edhe te roli i PINA si një nga pak hapësirat mediatike në vend që e praktikojnë në mënyrë të vazhdueshme gazetarinë tematike. Përmes programeve për gratë në gazetari, ata kontribuojnë në zhvillimin profesional të gazetarëve dhe në rritjen e dukshmërisë së temave shpesh të margjinalizuara në mediat tradicionale.
Në vendin tonë ka pak media tematike; një prej tyre është PINA, e cila ka program për gratë në gazetari. Sa është e rëndësishme të ekzistojnë media të tilla dhe si ndikon mungesa e tyre në peizazhin mediatik?
Të ashtuquajturat media “tematike” janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse hapin hapësirë për tema që shpesh mbeten në margjina ose trajtohen vetëm në mënyrë “fushatash” në mediat kryesore. Kur ekzistojnë redaksi që merren në mënyrë sistematike me barazinë gjinore, politikat sociale apo të drejtat e njeriut, ato krijojnë dije, ekspertizë dhe vazhdimësi në raportim. Në vende si yni, ku hapësira mediatike është relativisht e vogël dhe shpesh e mbingarkuar me tema të përditshme politike, media si PINA luajnë rol në thellimin e debateve dhe sjelljen e një perspektive tjetër.
Në këtë drejtim është edhe rëndësia e Programit për gazetare të PINA-s. Nga viti në vit rritet interesi për këtë program, gjë që tregon se një mbështetje e tillë u nevojitet gazetareve. Përmes këtij programi, deri më tani më shumë se 30 gazetare nga skena mediatike vendore janë përfshirë në forma të ndryshme bashkëpunimi dhe si rezultat janë publikuar mbi 100 tekste gazetareske. Përveç zhvillimit profesional dhe mbështetjes financiare, këto programe kontribuojnë edhe në rritjen e dukshmërisë së temave që lidhen me barazinë gjinore dhe çështjet shoqërore. Kështu ndërtohet gradualisht një peizazh mediatik më i larmishëm dhe më cilësor.
Mungesa e mediave të tilla nënkupton më pak hapësirë për gazetari analitike dhe për histori që vendosin njerëzit dhe përvojat e tyre në fokus. Në atë rast, shumë çështje të rëndësishme shfaqen vetëm herë pas here, në formë “gazetarie fushatash”, në vend që të trajtohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të thelluar.
Si mund të kontribuojë gazetaria tematike në krijimin e një publiku më të vetëdijshëm për barazinë gjinore?
Gazetaria tematike ka potencial të edukojë dhe informojë publikun në një nivel më të thellë. Kur mediat raportojnë rregullisht për çështje gjinore, siç bën PINA, përmes hulumtimeve, intervistave, të dhënave dhe historive personale, publiku fillon të kuptojë problemet strukturore që qëndrojnë pas rasteve individuale. Me kalimin e kohës ndërtohet edhe një nivel më i lartë i edukimit mediatik dhe ndjeshmëri më e madhe ndaj diskriminimit, stereotipeve dhe pabarazisë.
Sipas teje, sa janë të përgatitur gazetarët për të raportuar në mënyrë etike dhe të ndjeshme për çështjet gjinore dhe ku qëndron hendeku kryesor?
Në Maqedoni ekziston një bërthamë e vogël, por e fortë gazetarësh që raportojnë në mënyrë etike dhe të ndjeshme për çështjet gjinore, por një pjesë e madhe e mediave ende udhëhiqet nga stereotipet e përditshme, duke i përforcuar ato. Arsyeja është e qartë: stereotipizimi dhe sensacionalizmi sjellin klikime, e klikimet sjellin para.
Hendeku kryesor qëndron mes qëllimit të mirë dhe praktikës së përditshme në redaksi. Shpejtësia e publikimit shpesh e sakrifikon etikën. Problemi nuk është vetëm te gazetarët, por edhe te filtrat redaktorialë. Titujt sensacionalistë shpesh “gëlltisin” përmbajtjen etike për më shumë klikime. Mungon edukimi i vazhdueshëm dhe politikat e qarta redaksionale për raportimin e temave si dhuna me bazë gjinore, intervistimi i viktimave pa i viktimizuar sërish, apo raportimi dinjitoz për çështje të ndjeshme.
Gazetari profesional duhet të dallojë qartë mes mendimeve personale dhe fakteve me interes publik. Gjithashtu, nuk duhet harruar roli ynë si “rojtarë” të demokracisë dhe përgjegjësia për të nxitur ndryshime, sidomos kur bëhet fjalë për gratë. Raportimi i vazhdueshëm dhe cilësor e bën të qartë se barazia gjinore është çështje e të drejtave të njeriut dhe e progresit shoqëror, jo vetëm “çështje e grave”.
A mendon se mediat shpesh e instrumentalizojnë temën e çështjeve gjinore vetëm për fushata ose data simbolike?
Po, kjo ndodh shpesh. Shembull tipik janë datat si 8 Marsi, 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore apo përvjetorët e figurave të rëndësishme të grave. Atëherë vërehet rritje e raportimit për shkak të fushatave dhe aktiviteteve, por pas tyre interesi bie ndjeshëm.
Ndryshimi i vërtetë do të thotë që perspektiva gjinore të integrohet në raportimin e përditshëm në të gjitha fushat: ekonomi, politikë, arsim, shëndetësi etj. Vetëm kështu këto çështje bëhen pjesë normale e debatit publik.
Në vendin tonë ka shumë gazetare, por pak gra në pozita drejtuese. Si e sheh këtë fenomen?
Ky fenomen është rezultat i patriarkatit të rrënjosur thellë dhe barrierave të padukshme. Gratë shpesh mbajnë barrën më të madhe të punës, por kur bëhet fjalë për vendimmarrje strategjike dhe financa, pushteti mbetet te burrat. Ky nuk është fenomen vetëm në Maqedoni, por edhe në shumë vende të tjera.
Edhe pse gazetaria dominohet nga gratë, rruga drejt pozicioneve drejtuese është më e vështirë për to, për shkak të barrierave të brendshme në media, pritshmërive shoqërore dhe rrjeteve informale të ndikimit të dominuara historikisht nga burrat.
Megjithatë, situata po ndryshon gradualisht dhe gjithnjë e më shumë gra po bëhen redaktore, drejtuese dhe themeluese mediash apo organizatash. Është e rëndësishme të krijohen kushte që lidershipi i grave të mbështetet dhe të njihet, në vend që të pengohet nga stereotipet.
Shpesh gratë dekurajohen me “këshilla” që të mos marrin më shumë përgjegjësi, të fokusohen te familja dhe të mos synojnë pozita të larta sepse “nuk janë për to”. Nëse gratë mbështeten në zhvillimin e karrierës, mediat do të përfitojnë perspektiva më të larmishme në vendimmarrje.